Kryeministri Rama paralajmëron ndryshime në diplomaci

Në takimin e zhvilluar sot me studentët, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka prezantuar portalin e transparencës universitare “u-tranparenca.al”. Ai tha se kjo është një pikave të parashikuara në “Paktin për Universitetin” dhe do të shërbejë si një instrument për garantimin e kontrollit dhe transparencës në institucionet e arsimit të lartë.

Ai ka premtuar se së shpejti studentët ekselentë do të rekrutohen në shërbimin diplomatik, për ta pastruar sektorin nga nepotizmi dhe klientelizmi.

“Për pak ditë do të ketë një thirrje tjetër për studentët që kanë mbaruar me nënta dhe dhjeta në shërbimin diplomatik, në ristrukturimin për të goditur nepotizmin dhe klientelizimin e së shkuarës. Kemi bërë një pastrim që nuk mjafton, pasi do të shkojmë më thellë. Edhe aty thirrja do të jetë për më të mirët”, tha Rama.

Ky vendim vjen vetëm pak ditë pas skandalit të dy vëllezërve indianë, të cilët megjithëse akuzohen për pastrim parash dhe janë dënuar në Indi, kanë marrë jo vetëm nënshtetësinë shqiptare por njëri prej tyre është emëruar Konsull Nderi i vendit tonë në Nigeri.

Edhe më herët, shërbimi diplomatik ka qenë në vëmendjen e Ramës, i cili ka kërkuar më shumë punë në diplomacinë ekonomike, për të tërhequr investitorët e huaj. /Opinion.al/Telegrafi/

TAGS