Alsat 2019-04-18T14:10:53+02:00
Në masa të larta sigurie, Komisioni Shtetëror Zgjedhor mëngjesin e sotëm ka filluar me shpërndarjen e materialit zgjedhor nëpër Komisionet Zgjedhore Komunale. Kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkovski tha se deri më tani e gjitha procedura për përgatitjen dhe shpërndarjen e materialit zgjedhor për rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale ka rrjedhur pa ndonjë problem.
Ekipet tona, anëtarët e KSHZ i morën materialet dhe janë drejtuar drejt destinacioneve të tyre për të shpërndarë materialin në Komisionet Zgjedhore Komunale. Në aspektin e përgatitjes së materialit, deri më tani gjithçka ka rrjedhur normalisht dhe shpresojmë se të dielën nuk do të kemi asnjë problem, të paktën sa i takon cilësisë përgatitjes së materialit zgjedhor – tha Oliver Derkovski, kryetar i KSHZ.
Fletat e votimit nuk mund të kopjohen dhe as të falsifikohen pasi të njëjtat janë të siguruar me 21 shenja mbrojtëse të cilat vërtetojnë origjinalitetin e tyre, tha drejtor i shtypshkronjës “Kiro Dandaro” në Manastir, ku edhe është prodhuar materiali zgjedhor.
Siguria është në nivelin më të lartë, ndërsa fletat kanë 21 shenja që vërtetojnë origjinalitetin. Është e pamundur të falsifikohen. Fletët origjinale janë bërë në fleta të sigurt, të cila nuk mund të kopjohen, janë me të dhëna të gjeneruara për çdo vendvotim – u shpreh Dragi Milloshovski, drejtor i shtypshkronjës “Kiro Dandaro” në Manastir.
Fletët e votimit përmbajnë vetëm flamurin e shtetit, numrat rendor të kandidatëve, emrat dhe mbiemrat e kandidatëve, simbolet e partive që i mbështesin.
Në këto zgjedhje presidenciale të drejtën e votës e gëzojnë 1.808.131 persona, të cilët kanë në dispozicion 3480 vendvotime për të ushtruar këtë të drejtë të tyre. Të shtunën do të votojë diaspora dhe gjithashtu të drejtën e votës do ta ushtrojnë 3.583 persona të sëmurë, 1600 të burgosur dhe 7 të zhvendosur.
Evi Shkopi
Loading…