Kufiri në Jazhincë pa terminal, shteti i painteresuar

Kufiri në Jazhincë pa terminal, shteti i painteresuar

Prej 12 maj, edhe vendkalimi Kufitar në Jazhnicë mund të përdoret për automjetet e rënda të cilët nuk transportojnë materiale të rrezikshme. Kjo është lejuar nga ana e autoriteteve të Maqedonisë pas kërkesës nga pala e Kosovës që pika kufitare në Jazhincë të përdoret për qarkullim përderisa në këtë vendkalim ende mungon terminali. Vendkalimi kufitar në Jazhincë, gati se një javë është pika e vetme që lidh Maqedoninë dhe Kosovën dhe anasjelltas.

Punët në aksin rrugor Kaçanik – Han i Elezit janë në vijim e sipër dhe ajo rrugë është mbyllur për qarkullim, prandaj edhe automjetet si ato me udhëtarë por edhe ato të rënda janë të detyruar që kalimin ta bëjnë përmes Jazhincës nga pjesa e Maqedonisë, përkatësisht Glloboçicës nga pjesa e Kosovës. Vetëm një pjesë e vogël e automjeteve kalojnë nga Bllaca, sepse kostoja është më e vogël, për shkak të rrugës s ëvështirë nga Gllobocica për në Jazhincë, ndërsa nga pjesa e Maqedonisë duhet që të shkojnë në terminalin në Tetovë dhe të rikthejnë për në Shkup.

Në kushte normale kur funksionon edhe pika kufitare në Bllacë, në Jazhincë frekuentojnë nga 1700 deri në 2000 udhëtarë, kryesisht student por edhe qytetarë të tjerë. Kjo situatë nuk është e njëjte kohëve të fundit. Tash numri i udhëtarëve arrin deri në 4000 brenda ditës që kalojnë këtë pikë kufitare, diku rreth 30 kilometra larg nga qyteti i Tetovës. Në ndërkohë problem në vete është mungesa e një terminalit për automjetet e rënda. Ndonëse kjo kërkesë ka qenë e kahmotshme e bizneseve shqiptare, por që nuk u realizua asnjëherë, kurse në këtë kohë terminali është më se i nevojshëm. Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperendimore Nebi Hoxha, thotë se politika duhet urgjentisht të intervenojë për hapjen e terminalit.

Kamionët që hyjnë brenda në Maqedoni, pas kontrollit të dokumentacioneve detyrohen që të shkojnë në terminal në Tetovë ose në Bllacë për të peshuar ngarkesën. Poashtu është arritur një dakordim me autoritetet e pikës kufitare të Kosovës që të lëshojnë nga një automjet të rëndë derisa të përfundojë procedurat automjeti para tij në pjesën e Maqedonisë. Kjo situatë e bën punën më të rëndë në këtë periudhë kur frekuentimi i udhëtarëve është dyfish më i lartë, për shkak se momentalisht ky është vendkalimi i vetëm funksional me Kosovën, në kohën kur për në Bllacë ka shumë pak automjete.

Nga ana tjetër gjashtë zyrtarë të policisë kryejnë brenda një ndërrimi tërë kontrollin e këtyre udhëtarëve dhe automjeteve të rënda transportuese ndërsa si përforcim janë sjellur edhe disa punonjës nga dogana që kanë qenë të angazhuar në Bllacë. Poashtu është hapur edhe një sportel i kompanisë Fershped për të kryer punët e shpedicionit në aspektin e dokumentacionit. Punonjës të kësaj kompanie thonë se janë përkohësisht, kurse për të përfunduar kontrollin nevojiten diku rreth 20 deri në 25 minuta, varësisht prej ngarkesës./tvkoha/