"Kujtohen për shqiptarët, vetëm atëherë kur policia i dhunon si të ishin shqiptarë!"

Në një postim në FB, shkrimtari Kim Mehmeti pohon se “Maqedonia duket si shtet i cili nuk ekziston shkaku i qytetarëve që jetojnë në të, por sa për të pasur shtet të vetin hajdutët dhe banditët e partive në pushtet”.

Duke i komentuar protestat e fundit të opozitës maqedonase në Shkup, Mehmeti thotë:
“Duhet dënuar brutaliteti policor mbi protestuesit e opozitës maqedonase, njësoj siç duhet marrë si legjitime thirrjen e opozitarëve maqedonas që protestës së tyre t’u bashkëngjiten edhe shqiptarët! Por në ndërkohë duhet thënë se mundësia për protesta të përbashkët maqedonase-shqiptare, mbase për gjithmonë është humbur edhe shkaku se qarqet maqedonase, e marrin si të natyrshme që shqiptarët t’i përkrahin kauzat e tyre politike, por si të ‘panatyrshme’ që ata të dalin në protestat që i organizojnë shqiptarët! Andaj edhe ndodhën shumë protesta shqiptare – ku u rrahën dhe u dënuan me nga tre vjet burg me dhjetëra të rinj shqiptarë – por nuk reagoi thuajse asnjë parti opozitare maqedonase, e le më ato t’i përkrahnin protestuesit shqiptarë! Thënë edhe më qartë: kalbëzimi i Maqedonisë do vazhdojë edhe tutje, ngaqë ky shtet është i vonuar dhe për të fare nuk ka rëndësi koha që tregon ora e shqiptarisë, njësoj siç janë të vonuara edhe forcat opozitare maqedonase, të cilave shqiptarët u kujtohen vetëm kur policia e regjimit VMRO-BDI, edhe ata i dhunon si të ishin shqiptarë!”