Kumanova si ka qenë dhe si nuk duhet të jetë!

Kumanova si ka qenë dhe si nuk duhet të jetë!

Fejzi HAJDARI

Shpeshherë kur flet me kumanovarët (qytetarët e thjeshtë) lidhur me gjendjen e tyre të pashpresë e të vështirë ndër etapa historike e deri sot, e merr një përgjigje ose konstatim interesant në formë klisheje, stereotipi dhe shablloni bajat, të dalur mode skajshëm! “Neve kumanovarëve s’po na bon mall kurrkush!?, këtë përgjigje standarde e merr pothuajse gjithmonë. Ky shabllon i bajatshëm, dhe me kollajllëk për tu nxjerrë nga goja e qytetarëve të pafajshëm, gjenezën e ka pikërisht tek vetë kumanovarët – Elitat politike dhe intelektuale. Me pak fjalë, askush s’ju ka faj kumanovarëve se nuk kanë kontribuar dhe punuar pak më tepër për kumanovarët! “Trashjes së këtij ngushëllimi” i kanë kontribuar pikërisht elitat intelektuale, dhe sidomos ato politike, ndër vite. Këto elita, mospunën e frutshme, mosnagazhimin dhe mosbërjen e hapave konkret për të krijuar sadopak një gjendje, apo standard më të avancuar jetësor në këto rrethana ku është, ku ka qenë dhe ku do të jetë Kumanova në të ardhmen, e kanë “mbuluar”, ose me thjeshtë thënë, e kanë “maskuar” pikërisht nëpërmjet kësaj shprehje të bajatshme absurde: “Neve s’po na bon mall kurrkush”! Është mospuna, mungesa e hapave konkret nga vetë këto elita, faktori kryesor që e ka shndërruar ‘Kumanovën shqiptare’ në ‘Zorrë qorre”, në kuptimin e moszhvillimit dhe moskrijimit të ndonjë standardi të kënaqshëm jetësor! Askush nuk iu ka faj kumanovarëve, sepse rastet, mundësitë i kishin të bollshme, madje pas luftës së 2001-shit, i kishin shumë më të mëdha se sa shumë qytete tjerë me shumicë shqiptare. Pikërisht elitat të cilat u instaluan si përfaqësues politikë të shqiptarëve të Kumanovës, ishin bllokuesit, stopuesit madje edhe degraduesit të pozitës, statusit të shqiptarëve të Kumanovës gjithandej në komunë. Ja shembuj sa të doni: E ndanë Kumanovën nga Likova, për tu tallë të tjerët me ne. Në këtë mënyrë përqindja e shqiptarëve të Kumanovës, nga mbi 40%, u ul në vetëm 26.6%. Me këtë, mundësia që shqiptarët në ciklet zgjedhore, të zgjedhin kryetar shqiptar të komunës, u ul gati se në zero dhe tani shërbejmë vetëm si statistë të partive maqedonase. Kësisoj, faktorizimi i shqiptarëve në Kumanovë, u zbeh dukshëm dhe për rrjedhojë sot keni këtë fakt të dhimbshëm: IKJEN MASIVE TË RINISË SHQIPTARE NË GJERMANI, e gjithandej në Evropë.
Por, ne kumanovarët tjerë, të etur për të përmirësuar sadopak statusin tonë në aspekt organizativ, shoqërorë dhe kulturor, mund të bëjmë disa gjëra shumë modeste, por me rëndësi dhe peshë! Ja për shembull disa prej tyre!

-Pse shqiptarët e Kumanovës, edhe pse kanë potencial e kuadro cilësore, s’e bëjnë:

1. KËNGË PËR KUMANOVËN, që do të paraqiste një lloj “HIMNI ARTISTIKO-KULTUROR” për këtë qytet, në të cilën do të ngërtheheshin vlerat artistike shqiptare, ato historike, kulturore, bile edhe fetare, të cilën sipas mundësive do ta performonte ndonjë oktet, kuintet ose kuartet këngëtarësh shqiptarë, pak a shumë siç e kanë bërë që moti maqedonasit: “Kumanovo, Kumanovo…”. Kënga e këtillë do të jetë edhe një lloj “shenjë dalluese” apo shenjë identitare për “Kumanovën Shqiptare’. Si model për këtë mund të merret edhe kënga e këngëtarit boshnjak Dino Merlin, për Sarajevën!

2. MONOGRAFI:
Pse shqiptarët e Kumanovës për qytetin e tyre akoma edhe sot e kësaj dite, nuk kanë një Monografi të tipit, siç i kanë me dhjetëra maqedonasit dhe serbët, në gjuhët e tyre. Kjo do të bëhej në formë të një “Letërnjoftimi për Kumanovën Shqiptare”, ku do të spikatej me fakte dhe argumente, kontributi i shqiptarëve ndër shekuj për këtë qytet të lashtë e gjeostrategjik, sidomos për luftërat gjenocidale ndaj shqiptarëve me qëllim të vetëm – zbrazjen masive dhe të dirigjuar të Kumanovës nga shqiptarët, nga ana e pushteteve. Kush na ka faj për këtë? Vetë ne shqiptarët.

3. LIBËR PËR LUFTËN E 2001:
Libër historik (me përmbledhje ngjarjesh dhe prova e dokumente autentike) për konfliktin e armatosur të vitit 2001. E di që ekzistojnë dhe ka disa libra, për komandantë dhe për luftën e UÇK-së të 2001-shit, por një libër gjithëpërfshirës për luftën e 2001 me arsyet dhe shkaqet pse sollën deri te lufta, pastaj për aktivitetet përgatitore dhe zhvillimet e mëpastajme, akoma nuk ka.
Mbi të gjitha, nevojitet një libër që sjell të vërtetën e plotë për luftën, libër i pastruar nga lavdia e rrejshme e “komandantëve të bodrumeve” dhe “ushtarëve të Solanës”, respektivisht atyre që ia mësyen “frontit” pasi përfundoi lufta, sikurse t’i kishte deleguar dikush të dalin në Zonën e Lirë, të bëjnë disa fotografi dhe sot të krekosen se kanë qenë “ish-pjesëtarë”, pa pasur asnjë therë në këmbë.
Për fat të keq tonin, tani e gati 20 vite pas luftës fati i shqiptarëve të Kumanovës dhe Likovës, ka mbetur në duart e “komandantëve të bodrumeve” dhe “ushtarëve të Solanës”, njerëz me deficit intelektualë e kombëtarë, që po instrumentalizohen shumë lehtë, si nga klani i Zajazit, po ashtu edhe nga shërbimet antishqiptare, për të punuar në dëm të interesave esenciale të shqiptarëve të kësaj ane.
Shtoja kësaj edhe elementin kriminogjen, që është faktorizuar politikisht, atëherë shumë qartë kuptohet se pse rinia kumanovare daljen e vetme nga kriza po e sheh përmes ikjes dhe kërkim të fatit mijëra kilometra larg vendlindjes dhe familjes.

4. LIBËR PËR PROCESET E MONTUARA IDEO-POLITIKE GJATË KOMUNIZMIT:
Akoma nuk kemi ndonjë libër gjithëpërfshirës me fakte dhe prova materiale autentike, për periudhën e monizmit, sidomos për proceset e montuara politike, diskriminimin etnik, për rrahjet dhe burgosjen e shqiptarëve të pafajshëm, sidomos për proceset e ashtuquajtura të diferencimit ideo-politik, pasta për rrëzimin e mureve dhe për përzierjen e klasave të gjimnazit në gjuhën shqipe, me më mësim në gjuhën maqedonishte.
Kur jemi këtu, pa dyshim duhet përshëndetur libri i përgatitur nga profesori Esat Dehari, kushtuar kësaj periudhe, mirëpo, kjo periudhë kërkon qasje ekipore, e jo vetëm nga individë vullnetmirë, si profesor Esat Dehari.

5. Një libër tjetër i nevojshëm dhe i ngutshëm, do të duhej të përgatitej për KONTRIBUTIN E SPORTISTËVE SHQIPTARË të Kumanovës, për artistët (këngëtarët, aktorët…) etj.
Duhet analizuar se pse kultura dhe arti kumanovar një kohë ishte në pozita udhëheqëse në rang të shqiptarëve të ish Jugosllavisë, e sot nuk është në pozita të lakmueshme. Kjo vjen si pasojë e dukurisë që në këtë qytet, ndoshta si në asnjë qytet tjetër, stimulohet antivlera, mjafton që autori të jetë anëtar ose aktivist i partisë.

6. MUNGESA E PËRMENDOREVE TË PERSONALITETEVE SHQIPTARE: Asnjë përmendore s’ka Kumanova (qyteti) për luftëtarët e UÇK-së dhe luftën e vitit 2001. Madje-madje asnjë rrugë nuk është pagëzuar me emrin e ndonjërit nga komandantët e lavdishëm apo ndonjë simboli ose simbolike të kësaj ngjarje të lavdishme kombëtare! Pesimistët do të nxitojnë të ‘arsyetohen’ por nuk do t’na jep leje komuna! Cila komunë(?), ajo që në “pjesën maqedonase” të Kumanovës investon me miliona euro, ndërkohë që tek “pjesa shqiptare” mezi disa dromca! Përderisa ne nuk kërkojmë një gjë të tillë me anë të ndonjë veprimi e projekti konkret, nuk kemi të drejtë apriori ta paragjykojmë përgjigjen. Një gjë e tillë duhet të kërkohet dhe bëhet me këmbëngulje. Pikë! Për mungesën dhe, pa e tepruar do të them, turpin kolektiv tonin si shoqëri shqiptare, fajin aspak s’e kanë maqedonasit, por, përkundrazi, vetë ne e kemi fajin. Duhet të jemi vetëkritik. Nëse dje s’kidhim, sot kemi përfaqësues politikë në të gjitha nivelet e pushtetit. Nuk po flasim për aspektin cilësore, por, gjithsesi të paktën për këto gjëra kemi mundur dhe mundemi me një angazhim dhe vullnet e dije të vogël, t’i përgatisimin këto gjëra në dukje “të vogla”, por shumë domethënëse dhe me relevancë për brezat e ri, të ardhshëm, por pse jo edhe për vizitorët e ndryshëm të qytetit të Kumanovës. Të mos ngushëllohemi edhe më tutje me shprehjen: “S’po na bojn mall të tjerët”!. Nuk qëndron më kjo! T’i përveshim mëngët, për të bërë atë, që është dashur që moti ta bëjmë. E kemi për borxh!

7. MUNGESA E SEKTORIT TË KONSOLIDUAR CIVIL SHQIPTAR
Në shikim të parë duket si problem i vogël, por për mendimin tim mungesa e sektorit të konsoliduar civil shqiptar është një prej gjërave kyçe, që u mungon shqiptarëve të Kumanovës. Askund në Maqedoni shqiptarët nuk jetojnë në kushte më të vështira se në Kumanovë dhe Likovë (ndoshta vetëm në disa lagje të Çairit), por askund nuk vërehet konformimzëm aq i madh, i stilit “ndashtë, mos të bëhet më keq”. Thuajse e keqja ka brinjë!. E keqja është mungesa e rrugëve: Rrugë me gropa, mungesa e ujit, mungesa e Çerdheve, shkollave adekuate, krimi i organizuar. Këto janë të këqijat e ditës së sotme, të cilat të gjitha bashkë i ke në një vend në Kumanovën shqiptare dhe Likovë, kurse shumë prej qytetarëve ende thonë “ndashtë, mos të bëhet më keq”.

Jo vetëm kaq, por sa kam vërejtur, në asnjë komunë tjetër nuk lavdërohen funksionarët më shumë se në Kumanovë e Likovë, si “djem të mirë” (filan ministri, kryetari apo deputeti është shumë djal i mirë!!!).
Paramendoni, fajtorët për gjendjen e keqe të kumanovarëve, te numër jo i vogël i qytetarëve, perceptohen si “djem të mirë”!!!. Shumë djem të mirë, valla! I vjedhin paratë për ndërtimin e rrugëve e infrastrukturës, i punësojnë vetëm familjarët e tyre, heshtin para padronëve të tyre maqedonas… Si thoni, djem ma të mirë nuk gjen edhe me i kalu shtatë male, e shtatë dete?
Likova ka dy penda të mëdha, që fundja rrezikojnë 7 – 8 fshatra të komunës së Likovës në rast të ndonjë tërmeti të fuqishëm (secili me nga 3-4 mijë banorë), por ende nuk ka ujësjellës, edhe pse uji i këtyre pendave, furnizon Kumanovën dhe fshatra maqedonase deri në Pallankë, e Sveti Nikollë. Një situatë e ngjashme edhe edhe me eksploatimin e drurit nga mali i Karadakut respektivisht Karadaku i Likovës. Drunjt nga mali i Likovës priten dhe sillen në Kumanovë, ku është Fabrika për përpunimin e drurit (Ekonomia e Pyjeve), të cilën pothuajse gjithmonë e kanë menaxhuar joshqiptarët. Diskriminimi nuk ka brina!
Banorët e kësaj komune ende nuk kanë organizuar asnjë protestë serioze deri sot, për t’i thënë stop eksploatimit të ujit të tyre, deri sa vetë përballen me mungesë të ujësjellësit. Tani e gati 70 vite mashtrohen me gënjeshtrën “s’po bëhet sivjet, por në mot ka me u bë 100 për qind”.
Këtë vetëdije mundet ta ndryshojë vetëm një rini e organizuar në shoqata joqeveritare, e cila din ta ngrejë zërin dhe të demaskojë problemet.
Një rini që funksionarëve të dështuar u drejtohet me emrin e vërtetë “hajdutë” e “kriminelë”, e jo me demunitivin “djalë i mirë”.
Një rini që kërkon punë e vepra, e nuk ju beson fjalëve boshe “jo sivjet, por në mot”.
Mendoj se tani edhe ju skeptikët, e keni pak më të qartë se pse na nevojitet një rini e mirëorganizuar që duhet të “dridh” vetëdijen e kësaj ane. Sepse, të jemi të sinqertë, shërbimet sllave kanë “lëruar” me shekuj e dekada që në Kumanovë të mos vijnë në shprehje vlerat shqiptare dhe ky qytet një ditë të pësojë fatin e shumë qyteteve të deshqiptarizuara.