Kuqezinjtë nisin rrugëtimin për EURO 2020

Më 13 nëntor të 2017-ës, pra më shumë se 16 muaj më parë, Shqipëria mposhti 2-3 Turqinë në miqësoren e parë të epokës “Panucci”, duke ngjallur shpresat dhe rritur pritshmëritë për atë që e priste skuadrën kuqezi nën drejtimin e pasuesit të De Biasit. Ndeshjet e para të italianit për eliminatoret e Botërorit ishim më shumë vazhdimësi e trashëgimisë së De Biasit. Panucci premtoi një filozofi loje me theks sulmues, me rezultatin pozitiv që do të vinte më një lojë të bukur dhe ofensive, por… Paraqitjet dhe rezultatet si në miqësore ashtu edhe në Nation League rezultuan një zhgënjim total.

Gjithçka duhet nisur nga zeroja, sepse asgjë nga “plani” që kishte në kokë Panucci nuk funksionoi. Sërish përballë Turqia, por këtë radhë në sfidën e parë eliminatore të Euro 2020. Pasi grumbulloi plot 55 futbollistë dhe provoi në fushën e blertë 46 prej tyre, 45-vjeçari, mes dyshimeve të shumta në përzgjedhje dhe në vendimet që ka marrë për futbollistë të veçantë (lënia jashtë e Lenjanit apo përjashtimi i Strakoshës), nuk mund të ketë më justifikime për rezultatet e kuqezinjve.

Sonte, në orën 20:45, në “Loro Boriçi” duhet t’u japë shkëndijën zemrave kuqezi për të ndezur flakën e pasionit dhe dashurisë për fanellën e Kombëtares në një sfidë që mund të vendosë shumë për objektivat e skuadrës në këtë fushatë eliminatore.

I kushtëzuar sa nga përzgjedhjet e tij e më shumë nga dëmtimet e lojtarëve, Panucci përballë Turqisë pritet të hedhë në fushë këtë formacion: Në portë nga minuta e parë do të jetë Etrit Berisha, në mbrojtje Hysaj në krahun e djathtë, Gjimshiti e Ismajli në qendër dhe Frederik Veselin në të majtë.

Ky i fundit duket se ka fituar balotazhin me Naser Alijin, pasi bëhet fjalë për një rol të cilin e ka bërë jo rrallë te skuadra e Empolit në kampionatin italian. Sa i përket mesfushës, konfirmohen Xhaka e Memushaj, ndërsa rikthehet titullar edhe Abrashi, pas një mungese të gjatë për shkak të dëmtimit.

Në sulm Panucci duket i bindur t’i besojë Sadikut në majë, i mbështetur nga Myrto Uzuni nga e djathta, me beratasin që gëzon një formë mjaft të mirë sportive, dhe Eros Grezdën nga e majta. Gjithsesi ky i fundit është e vështirë të luajë për 90 minuta, ndaj nuk përjashtohet një surprizë e minutave të fundit, me Abazajn titullar.

Formacioni i mundshëm: Berisha; Hysaj, Gjimshiti, Ismajli, Veseli, Xhaka, Memushaj, Abrashi, Uzuni, Grezda, Sadiku. /Supersport/

TAGS