Kur do anëtarësohemi në BE, ja çfarë mendojnë shqiptarët

Kur do anëtarësohemi në BE, ja çfarë mendojnë shqiptarët

Teksa Bashkimi Europian ka shtyrë vazhdimisht vendimin për të hapur apo jo negociatat me Shqipërinë, qytetarët e vendit nuk janë shumë optimistë se do të arrijmë të bëhemi pjesë e BE-së brenda kësaj dekade.

Në pritje të vendimit të ministrave të jashtëm të Bashkimit Europian për çeljen ose jo të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, IDRA Research & Consulting ka realizuar një sondazh për të matur pritshmërinë e shqiptarëve për integrimin e plotë të vendit tonë në BE.

Rreth gjysma e shqiptarëve mendojnë se Europa është larg rreth 10 vjet ose më tepër. Ndërkohë rreth 40% e tyre besojnë se Shqipëria do të bëhet pjesë e Bashkimit Europian për rreth 5 vjet ose më pak.

Pjesa tjetër, ajo më pesimiste, që përbehet nga 11% e të anketuarve mendojnë se Shqipëria asnjëherë nuk do t’ia dalë të bëhet anëtare e Bashkimit Europian.

Pavarësisht faktit se shumica e shqiptarëve e shohin të largët ditën e anëtarësimit të vendit tonë në Bashkimin Europian, vlen të theksohet fakti se ne mbetemi vendi më pro* Bashkimit Europian mes vendeve aspirante (Shqipëri, Mal i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Turqia).

Ky anketim është realizuar nëpërmjet një kampionimi përfaqësues kombëtar të përbërë nga 1000 të anketuar me anë të metodës ballë për balle. Marzhi i gabimit për këtë anketim është +- 2.2 % me një interval besueshmërie 95%.

Vendimi i radhës

Ministrat e BE nga 28 shtetet e bllokut do takohen sot në Luksemburg për të diskutuar fillimin e negociatave të anëtarësimit me të dy vendet e Ballkanit, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, një vit pasi Franca dhe Holanda e bllokuan atë, duke kërkuar më shumë reforma.

Reuters raportoi se drafti i fundit, por ende i diskutueshëm, për negociatat është se BE do të shtyjë çdo vendim mbi Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë deri në tetor, pasi shqyrtimit të çështjes nga Parlamenti gjerman.

*Te dhena nga Eurobarometer 2018, Komisioni Europian.