Kur Nikolla Dimitrovi përqafohej me Johan Tarçullovskin (Foto)

A duhet shqiptarët të votojnë kandidat për president me ideologji VMRO-iste!?

Huzeir Mustafi
Gara për zgjedhjet presidenciale në Maqedoni tashmë ka hyrë në fazën e seleksionimit të kandidatëve nga ana e partive politike. Edhe pse gara zhvillohet kryesisht mes dy taboreve oponente maqedonase atë të LSDM-së në pushtet dhe atë të VMRO-DPMNE-së në opozitë, përsëri roli i votuesve shqiptar do jetë determinuesi kryesor në përzgjedhjen e Presidentit të ri të vendit.

Por sa janë të kujdesshme partitë maqedonase në përzgjedhjen e kandidatëve të tyre dhe me çka mundohen të “joshin” shqiptarët përmes kandidatëve të ofruar!?

Ajo që dihet tashme se nga VMRO-DPMNE opozitare tashme janë duke u shqyrtuar dy kandidatura serioze, ajo e profesoreshës universitare Gordana Siljanovska dhe e deputetit aktual Vlatko Gjorçev. Cilin do nga këto dy opcione që do kishte zgjedhur VMRO-DPMNE dëshmon qartazi përcaktimin e partisë opozitare sepse qëllimi i tyre përmes këtyre kandidaturave është të grumbullojë votën nacionaliste maqedonase edhe me çmimin se shqiptarët nuk do mund të përkrahin asnjërin nga këta dy kandidatë që sipas gjitha gjasave njëri prej tyre do jetë kandidatë zyrtar i VMRO-DPMNE në zgjedhje presidenciale.

Kush janë në fakt Gordana Siljanovska dhe Vlatko Gjorçev!?

Kandidatura e Gordana Siljanovskës në konkursin e VMRO-DPMNE-së është një “reprizë” e asaj që ndodhi me kandidaturën e presidentit në ikje Gjorgi Ivanov. Përdoret skema e njejtë, me preteksin se intelektualët maqedonas të nënshkruar në një listë për përkahje i propozojnë partisë opozitare që të përkrahë kandidaturën e profesoreshës Siljanovska duke e paraqitur atë si opcion apartiak por me ideologji të VMRO-DPMNE. Por në fakt si duket të shohin votuesit shqiptar Gordana Siljanovskën!?

Ajo ashtu si edhe presidenti në ikje Ivanon njihen për qëndrimet e tyre shumë të ngjajshme sidomos gjatë ndarjes teritoriale të njësive të vetqeverisjes lokale në vitin 2004, ku haptazi ka dalë kundër asaj ndarje teritoriale dhe ka bërë thirje për dalje në referendumin e organizuar edhe pse i njejti dështoj për mos arritje censusi. Një detaj që nuk është përmendur në të kaluarën është se pikërisht disa ditë para referendumit të vitit 2004, SHBA njohu Maqedoninë me emrin e saj kushtetues duke dhënë kështu sinjal të qartë se Maqedonia duhet të pranojnë ndarjen teritoriale të komunave si një nga obligimet e dala nga Marrëveshja e Ohrit, por Siljanovska bashkë me kolegët e saj dhe VMRO-DPMNE opozitare edhe asaj kohe pikërisht tre ditë pas njohjes nga SHBA ata dolën me thirje për referendumin.

Siljanovska njihet edhe për qendrimet e saj kundër shqiptarëve edhe në kohën kur ka qenë pjesë e kabinetit qeveritar si ministre pa resor në kohën e Branko Crvenkovskit dhe një nga më të zëshmet për të mos lejuar arsimin e lartë në gjuhën shqipe për shqiptarët në Maqedoni.

Qendrimet e saj kundrejt shqiptarëve nuk ndryshuan as me kalimin e kohës pasi që ajo në disa avansime të përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoni ka dalë hapur kundër duke e llogaritur si anti kushtetuese.

Poashtu Siljanovska ishte një nga iniciatoret dhe përkrahëset e iniciativës për të bojkotuar ndryshimin e emrit të Maqedonisë, gjë e cila ishte e paevitueshme për integrimin e shtetit në NATO. Kjo e bën Siljanovskën pjesë e grupit “BOJKOTOJ” që kishin thirje të hapur për një organizim pan-sllav që orientimin e kanë nga Rusia dhe jo nga perëndimi.

Nga ana tjetër në VMRO-DPMNE kandidaturën e tij për President e ka paraqitur edhe deputeti Vlatko Gjorçev i cili për opinionin shqiptar njihet se karierën politike e ka ndërtuar kryesisht duke shfaqur hapur qendrimet e tij anti shqiptare. Ai u bë i njohur që në vitin 1997 kur protestonte se bashku me kolegët e tij studentë kundër paraleleve shqipe. Thënia më e shpeshtë që ai e përserite në atë kohë ishte “gasni komori za shiptarite” (dhoma gazi për shqiptarët).

A ofron LSDM diçka ndryshe nga VMRO-DPMNE apo do shtojnë kandidatura që do zhvillojnë beteje brenda “vmroiste”!?

Për dallim nga VMRO-DPMNE e cila hapur dhe pa mëdyshje politikën e saj e ka bazuar në konceptin nacionalist maqedonas dhe me retorikë anti-shqiptare, LSDM ka tentuar për të afruar një qasje pak më ndryshe kundrejt votuesit shqiptar. Por ajo që paraqitet si shqetsim në taborin e LSDM-së është fakti se një nga emrat më serioz që të marrë “bekimin” e LSDM-së për të kandiduar për president është pikërisht një politikan me ideologji të VMRO-DPMNE-së, pra Nikola Dimitrov.

Kush është Nikola Dimitrov!?

Dimitrov, aktualisht ministër i punëve të jashtme, rrjedh kryesisht nga një familje me ideologji të pastë vmro-iste, duke patur të dy prindërit edhe themelues të VMRO-DPMNE-së nacionaliste por edhe funksionarë të lartë shtetror. Nëna e Dimitrov ka qene deputetet në përbërjen e parë parlamentare, ndërsa babai i tij ka qene ministër i Kulturës në qeverinë e Ljubço Georgievskit. Shkaku i lidhjeve familjare Dimitrov etablua si një diplomat i cili u mbështet nga qeverisjet e VMRO-DPMNE-së. Ai fillimin e karierës profesionale e pati gjatë një periudhe mjaft tensionuese për Maqedoninë. Në vitin 2001 gjatë konfliktit të armatosur në Maqedoni, Dimitrov ishte këshilltar për siguri i presidentit të atëhershëm Boris Trajkovski dhe sipas informacioneve të kohës mësohet se pikërisht Dimitrov ka qenë edhe një nga iniciatorët që propozoj bombaridimin e vendbanimeve shqiptare në rajonin e Tetovës duke mos bërë seleksionim të vendeve me civilë dhe ushtarë të UÇK-së. Poashti gjatë asaj periudhe mësohet se Dimitrov ka udhëtuar edhe drejt Moskës ku për nevojat e ushtrisë maqedonase ka siguruar armatim të rëndë nga Rusia dhe ka sjellë instruktorë rus për të trajnuar njësitet speciale të ushtrisë maqedonase. Ai poashtu ka patur një intervistë gjatë vitit 2001 ku ka shfaqur hapur refuzimin e tij ndaj inkuadrimit të shqiptarëve në sistemin politik dhe shtetror.

Edhe gjatë ardhjes në pushtet të VMRO-DPMNE-së pas viti 2006, Dimitrov i shërbeu regjimit të Nikolla Gruevskit. Skandali i fundit i tij ishte kur u emërua ambasador i Maqedonisë në Holandë, dhe ai ka ofruar logjistikën e tij në mbrojtjen e Johan Tarçullovskit dhe Lube Boshkovskit që u dënuan nga tribunali i Hagës për krime lufte.

Duke i patur gjitha këto opcione për kandidatura, si duket shqiptarët do duhet të zgjedhin mes dy kandidatëve me ideologji të pastër nacionaliste të instaluar historikisht nga VMRO-DPMNE. Në esencë, pavarsisht a propozon LSDM apo VMRO-DPMNE nëse në garë paraqiten kandidatët që përfolen nga njëra anë Gordana Siljanovska apo Vlatko Gjorçev kundrejt Nikolla Dimitrov parashtrohet pyetja pse shqiptarët duhet të zgjedhin mes kandidatëve me ideologjinë vmro-iste!? Nëse nuk ka reflektim te partitë maqedonase, mesiguri që shqiptarët do bojkotojnë këto zgjedhje presidenciale dhe shtetit do hyjë në një krizë të re institucionale që në fakt nuk do ishte aspak e dobishme për rrugëtimin e vendit drejt Bashkimit Evropian dhe përmbylljes të antarsimit në NATO.