Kurdisje në Superligën e Kosovës? Tifozët e Drenicës brohorisnin: ‘’Marre, marre’’

Kurdisje në Superligën e Kosovës? Tifozët e Drenicës brohorisnin: ‘’Marre, marre’’
10:59 | 16 Maj 2019

Fundi i edicionit të Superligës së Kosovës 2018/19 ka sjellur jo pak reagime, sidomos me dyshimin e kurdisjeve të ndeshjeve.

Nga katër takimet sa u zhvilluan dje, tre prej tyre përfunduan me rezultate të ‘kënaqshme’ për të dyja skuadret.

Drenica barazoi 1-1 ndaj Ballkanit, çka nënkupton se ky barazim i shpëton të dyja skuadrat nga barazhi, nëse në ndeshjet e fundit marrin fitore ndaj Lirisë respektivisht Dritës, shkruan lajmi.net.

Tifozët nga Skenderaji nuk e kanë pritur mirë ‘marrëveshjen’ që po pretendohet që ka ndodhur mes Drenicës dhe Ballkanit. Tifozët të indinjuar nga ky fakt brohoritnin ‘’marre, marre’’, mjaftueshëm për t’u dëgjuar në transmetim direkt dhe në radio.

Në anën tjetër, ndeshja e kurdisur po pretendohet të jetë edhe ajo mes Dritës dhe Flamurtarit, që përfundoi me fitoren e mysafirëve 1-2.

Ekipi nga Gjilani po udhëheqnin në pjesën e parë me rezultat minimal, por në të dytën brenda 5 minutave mysafirët shënuan dy gola dhe më pas ndeshja vazhdoi e qetë, pa asnjë lloj presioni.

Se kjo ndeshje dyshohet të jetë arritur me marrëveshje e konfirmojnë edhe luhatjet e kuotave në kompaninë më të madhe të basteve ‘bet365’.

Flamurtari fillimisht kuotohej me 2.87 për fitore, por në ditën e ndeshjen ato ndryshuan dhe skuadra e udhëhequr nga Arsim Thaçi e kishte fitoren e ‘sigurt’, pasi kuotat ndryshuan në mënyrë drastike. ‘Kuqezinjët’ tashmë kuotoheshin për fitore 1.40, ndërsa fitorja e Dritës me 7.50, transmeton lajmi.net.


Ndeshja që ngjalli më shumë dyshime për një ‘marrëveshje’ mes të dyja skuadrave ishte ajo mes Llapit dhe Feronikelit.

Ndryshe nga të gjitha takimet tjera, ndeshja mes këtyre dyja ekipeve ishte zhdukuar krejtësisht nga uebsajti i ‘’bet365’’.

Pretendohet se është arritur një marrëveshje mes të dyja ekipeve, që fitorja t’i takojë Feronikelit, që është në garë të ngushtë në titull me Prishtinën.

Ndeshjet finale të këtij sezonit të Superligës së Kosovës luhet të dielën me fillim nga ora 16:00, derisa titulli do të vendoset në Drenas. /Lajmi.net/

[embedded content]

TAGS