Kurti: Kosova ka nevojë për punëtorë, pushtetarët të interesuar për hajni

Kurti: Kosova ka nevojë për punëtorë, pushtetarët të interesuar për hajni

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se sot në Ditën e Punëtorëve duhet të flasim qartë.

Kurti ka thënë se Kosovës i duhen punëtorë për ta zhvilluar e ndërtuar, sepse çdo e ardhme tjetër do të ishte e shkretë sipas tij.

Ai tha se krerët e institucioneve nuk janë të interesuar në zhvillim e punë, por në hajni, prandaj ata pasurohen, e shumica ngel pa punë, apo me punë të keqe në një vend të pazhvilluar.

Postimi i plotë:

Në Ditën e të Drejtave të Punëtorëve, na duhet të flasim qartë: Kosova nuk bëhet pa punë. Andaj na duhen punëtorët, për të zhvilluar e ndërtuar Kosovën, sepse çdo e ardhme tjetër do të ishte e shkretë.

Punëtorët dhe sindikalistët kanë dhënë shumë për vendin tonë, një rast i theksuar është ai i heroit të kombit, Hamëz Jasharit, i cili ka qenë anëtar i kryesisë së Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Industrisë së Metaleve. Edhe shumë prej heronjve e dëshmorëve tanë të tjerë ndër dekada kanë qenë ja punëtorë, ja studentë.

Ashtu si ish luftëtarët, të cilët 20 vite pas luftës e shohin ëndrrën e tyre teksa keqpërdoret, edhe ish punëtorët e fabrikave të dikurshme e shohin me dëshpërim papunësinë e madhe që ka kapluar Kosovën sot.

Do të kisha dashur që sot të flisja për të drejtat dhe mirëqenien e punëtorëve, por sa është e mundur kjo në kushtet kur çdo i dyti është i papunë? Sidomos gratë e të rinjtë në përqindje dërrmuese janë pa një vend pune.

Si mund ta shpjegojmë këtë paradoks: nga njëra anë vendi është i pazhvilluar dhe i parregulluar e ka nevojë për shumë punë që të ndërtohet, e, nga ana tjetër, papunësia ka prekur majat, dhe ata pak që punojnë trajtohen keq, pa kushte të punës së dinjitetshme e me rroga të cilat nuk mjaftojnë për të siguruar jetën?

I vetmi shpjegim i qëndrueshëm, është ky: krerët e institucioneve nuk janë të interesuar në zhvillim e punë, por në hajni, prandaj ata pasurohen, e shumica ngel pa punë, apo me punë të keqe në një vend të pazhvilluar.

T’i kthehemi punës, është e mundshme. T’i përmirësojmë kushtet tona të përbashkëta, e ato vetjake, po ashtu është e mundshme. Por duhet t’i kthehemi prodhimit dhe investimeve që gjenerojnë punësim, dhe politika duhet të ndalë së qeni biznes, dhe shteti duhet të ndalë së pasuri biznese të oborrit qeveritar që kujdestarojnë mbi tenderët publikë.

Papunësia e qytetarëve tanë nuk është fatkeqësi natyrore. Ajo nuk është as pasojë e historisë dhe as nuk e ka kulturën për shkak.

Populli ynë është punëtor dhe duarartë, i njohim e i dimë gratë e burrat tanë se sa mirë punojnë në vendet ku mërgojnë. Në këtë ditë të Një Majit, ka ardhur koha ta mendojmë seriozisht Alternativën e VETËVENDOSJE!-s për kthimin e punës dhe të punëtorëve në Kosovë.

Revitalizimi i Trepçës dhe i industrive, zhvillim i mençur i infrastrukturës duke ruajtur mjedisin, sundim i ligjit dhe luftim i korrupsionit, Fond Sovran dhe Bankë Zhvillimore, drejtim dhe ndihmë për investimin privat që merret me prodhim. E duke mos harruar punëtorët e së ardhmes, favorizim i teknologjisë informatike/kibernetike, për ta bërë rininë e talentuar të Kosovës pjesë të zhvillimit tonë.

Kosova ka shumë nevoja dhe defekte, prandaj ka mundësi për shumë vende pune. Më 1 Maj 2019 jemi shumë të papunë e shumë punëtorë të keqpaguar e të keqtrajtuar. Ta ndryshojmë situatën, të bëhemi të gjithë punëtorë, që punësimi e pagat e mirëqenia për të gjithë të rritet! /Telegrafi/

TAGS