Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka pritur sot në një takim ambasadorin italian, Piero Cristoforo Sardi.
Sardi ka përshëndetur mbarëvajtjen e procesit zgjedhor duke vlerësuar pjesëmarrjen e madhe të qytetarëve në zgjedhjet demokratike në vend. Ai tha se, pas çertifikimit të rezultateve, është e rëndësishme të formohen institucionet dhe qeveria e re.
Tutje, në faqen e Lëvizjes Vetëvendosje në Facebook thuhet se Kurti e ka falënderuar Sardi për përkrahjen e deritanishme të Italisë ndaj Republikës së Kosovës dhe shprehu bindjen se me qeverinë e re bashkëpunimi mes dy vendeve tona do të ndërtohet e avancohet tutje. Kryetari Kurti e njoftoi ambasadorin se prioritet i qeverisë së re do të jetë zvogëlimi i pushtetit për forcim të shtetit, drejtësia institucionale e ligjore dhe zhvillimi ekonomik e punësimi. Në këtë drejtim, tha ai, janë duke u zhvilluar bisedimet nga Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe Lidhja Demokratike, që do t’i japin qeverinë e re Republikës.
Po ashtu Kurti ka biseduar me ambasadorin italian për parregullsitë në komunat me shumicë serbe. /Gazeta Express/