Kurti pret në takim Duda Baljen dhe kandidatët tjerë për deputetë nga minoritetet

Kurti pret në takim Duda Baljen dhe kandidatët tjerë për deputetë nga minoritetet

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është takuar sot me kandidatët për deputetë nga radhët e komunitetit boshnjak, egjiptian dhe ashkali.

Kurti ka pritur në zyret e Lëvizjes Vetëvendosje, Emilija Redzepin, Duda Balje, Artan Berisha, Veton Berisha dhe Hetem Arifi.

Në faqen zyrtare të Lëvizjes Vetëvendosje thuhet se Kurti me përfaqësuesit e këtyre komuniteteve biseduam për mbarëvajtjen dhe rezultatin e procesit zgjedhor, për planet e qverisë së re, sfidat dhe mundësitë e bashkëpunimit për shtetndërtim demokratik dhe progres socio-ekonomik.

Po ashtu Kurti i njoftoi se prioritet i qeverisë së re do të jetë zhvillimi ekonomik që sjell punësim, luftimi i krimit të organizuar e korrupsionit institucional përmes gjyqësorit të drejtë, dhe politikat sociale që zbusin pabarazinë në shoqëri. Kurti i siguroi përfaqësuesit e komuniteteve që qeveria e tij do t’i trajtojë të gjithë qytetarët e Republikës në mënyrë të barabartë pavarësisht përkatësisë kombëtare dhe theksoi se përparimi i komuniteteve pakicë bëhet përmes zhvillimit ekonomik dhe se kjo do të jetë prioritet me qeverinë e re. Në përfundim të takimit shprehëm gatishmërinë për ta vijuar dhe zgjeruar komunikimin dhe bashkëpunimin mes nesh.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve përveç që po kërkon një koalicion me LDK’në për të arritur një shumicë në parlament, i duhet edhe një koalicion me komunitetet jo-shumicë në Republikën e Kosovës. Kurti ka pasur takime më herët edhe me kandidatin për deputetë nga komuniteti serb në Kosovë, Nenad Rashiq.

Komuniteti serb ka dhjetë vende të garantuara në parlamentin e Republikës së Kosovës. Po edhe komunitetet joserbe kanë dhjetë ulëse. Lista Serbe ka fituar shumicën e vendeve të garantuara për komunitetin serb, por gjithsesi Kurti ka thënë se nuk do të bashkëpunojë asesi me këtë subjekt politik të cilin ai e quan të dirixhuar nga Beogradi.

Bashkëpunimi me komunitetet do i jepte një shumicë të madhe koalicionit VV-LDK në Kuvend. /Gazeta Express/