Mediat malazeze raportuan mbrëmë se kandidati për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti do t’u ofrojë autoriteteve të Malit të Zi të mbështesin idetë e Kosovës në luftën kundër Serbisë,ndërsa si shkëmbim ai nuk do të kërkojë që të diskutohet më çështja e kufirit.
Portali ‘Borba’, raportoi se Kosova po e sheh Malin e Zi si aleatin e vetëm në luftën kundër Serbisë, veçanërisht pas vendimit të Shqipërisë për të mbështetur mini-shengenin.
Mediumi theksoi se Kurti do t’i premtojë Malit të Zi se nuk do e ngrisë më çështjen e rregullimit të kufijve dhe se me qeverinë malazeze do të jenë partnerë.
Mirëpo, njohësi i çështjeve politike, Shkodran Ramadani nuk beson se Mali e Zi do e marrë këtë si presion të Kurtit, pasi demarkacioni tanimë është çështje e mbyllur.
“Mali i Zi nuk besoj që i kish marrë si presion të Kurtit për diçka që ky nuk mundet të bëjë pasi demarkacioni është çështje e mbyllur, e ratifikuar në dy parlamente nuk ka kthim mbrapa pasi është një marrëveshje ndërkombëtare . Mali i Zi nuk janë injoranta dhe as naiv për mos me e ditë këtë punë”, ka deklaruar Ramadani për lajmi.net.
Sipas tij, Mali i Zi qysh moti është kundër Serbisë dhe e ka mbështetur Kosovën prej kur e ka shpallë pavarësine.
“Mali i Zi është moti kundër Serbisë dhe nuk është se nuk e ka mbështët Kosovën ma herët. Prej pavarësisë na ka mbështet, ka qeveri proevropiaene dhe pro amerikane, ndërkohë theksojmë se Kurti e ka mbështët më herët opozitën malazeze”.
Edhe pse janë përplasur për mini-shengenin, Ramadani thotë se Shqipëria është aleati kyç i Kosovës.
“Shqipëria është ende aleat nuk mundet me mbet kundër Kosovës, madje është më shumë se aleat, raporti ynë është përtej politikës. Ka edhe në Shqipëri zëra se nuk do funksionojë puna e mini-shengenit dhe se Shqipëria do të tërhiqet në fund. Mali i Zi shumë mirë që është kundër, ndërkohë sa i përket asaj pse Kurti është i Malit të Zi nuk çon kurfarë peshe, sepse ata do e konsiderojnë si kryeministër të Kosovës, dhe kanë me trajtu si çdo kryeministër që e kanë trajtu deri tash”, ka përfunduar Ramadani.
Mini-shengeni është kundërshtuar vazhdimisht nga Kosova, e cila është e lënë jashtë saj, pasi e konsideron atë si një rikthim të ish-Jugosllavisë, edhe pse kjo është një nismë e mbështetur nga institucionet evropiane që e shohin si një fazë të ndërmjetme para integrimit evropian të shteteve të Ballkanit Perëndimor. /Lajmi.net/