Kurti: Veseli nuk e ka hallin e Tribunalit që na mungon por të atij Special që e kemi tepricë

Kurti: Veseli nuk e ka hallin e Tribunalit që na mungon por të atij Special që e kemi tepricë

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se ideja e kryetarit të Kuvendit, Kadri Vesleli, për Tribunal ka të bëjë me Gjykatën Speciale dhe frikën e Veselit nga ajo.

Kurti në një status në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar se kërkesa e Veselit për Tribunal Ndërkombëtar për gjenocidin e Serbisë në Kosovë, është dorëzim  para krimit të Serbisë dhe heqje dorë nga detyra e shtetit të Kosovës për të sjellë drejtësi për viktimat e luftës.

“A është e mundur që kryetari i Kuvendit nuk po e kupton që s’i beson më kush?

Kërkoi Tribunal Ndërkombëtar për gjenocidin e Serbisë në Kosovë, duke dëshmuar që dikush tjetër na u dashka të merret me gjenocidin e Serbisë dhe jo vetë Kosova si shtet. E, paraprakisht kishte deklaruar se kriminelët serbë do t’i tërheq zvarrë!

Kërkesa për Tribunal Ndërkombëtar është dorëzim para krimit të Serbisë, është heqje dorë nga e drejta dhe detyra e shtetit tonë të pavarur, e Republikës së Kosovës, për të sjellë drejtësi për viktimat tona të luftës. Kjo kërkesë vetëm sa amniston prokurorët e Kosovës që paguhen nga buxheti i shtetit e të cilët sa i përket krimeve të luftës, në rastin më të mirë, ishin pasivë.

Nuk e ka ky hallin e Tribunalit që na mungon por të atij Special që e kemi tepricë. Pra, nuk e ka qëllimin për të sjellë drejtësi për viktimat tona dhe dënim për kriminelët serbë (sepse i pati 20 vjet për këtë punë teksa kishte në pronësi thasë me informacion që pohonte se ShIK-u ka arritur t’ia marrë Serbisë). Jo, ai po orvatet t’i kundërvihet Gjykatës Speciale të cilën vetë këta e sollën më 3 gusht 2015, me trysni të paparë mbi deputetët e tyre.

Në vend që sot të marrë përgjegjësi e të jap dorëheqje, ai ia hodhi krejt fajin deputetes së vet Flora Brovina, pasi që i dështoi orkestrimi i sulmit mbi deputeten tonë Saranda Bogujevci.

A është e mundur që ky ende nuk po e kupton që s’i beson më kush?”, ka shkruar në Facebook, Albin Kurti./Telegrafi/

TAGS