Kurti zbut qëndrimet edhe për dialogun: S’garantoj sukses me Serbinë

Kurti zbut qëndrimet edhe për dialogun: S’garantoj sukses me Serbinë

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka komentuar takimin me kandidaten për kryeministre nga LDK, Vjosa Osmanin dhe kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën.

Kurti tha që ka pasur dakordime për krijimin e qeverisë, por që ata kanë deklaruar se janë duke pritur numërimin e plotë të votave, gjë për të cilën ai thotë se s’do të ndryshoj fitorën e VV-së dhe postin e tij për kryeministër.

“Takimi ishte i hapur, kishim dakordim që duhet t’i përgjigjemi vullnetit të qytetarëve për ndryshim të madh se opozita duhet të jetë qeveri”, tha Kurti në intervistë për Tv Shenja.

Formimi duhet të bëhet pa vonesa dhe se pritjet e qytarëve për këtë koalicion janë të larta dhe humbja e kohës në këto vite është brengosëse, prandaj u dakorduam që të kemi fuqizim dhe synimi ynë është të kemi 12 ministri. Jam optimist që do t’ia dalim dhe mos ta kemi atë numër që ka qenë të zëvendës ministrave.

S’kam dilema për rezultatin e zgjedhjeve, ata kanë deklaruar që do ta presin numërimin e votës së fundit që ua ka kufizuar deklarimin e plot mbi situatën pas zgjedhore, rinumërimi dhe votat nga mërgata do ta thellojnë diferencën tonë që s’eshtë e madhe.

Duke qenë se LDK dhe VV kanë pasur një marrëveshje, që subjekti që del i pari e ka pozitën e kryeministrit, atëherë i bie që unë jam kryeministri i ardhshëm i Kosovës”, tha kurti.

Sa i përket dallimit të ideologjive në mes partië që drejton ai dhe LDK-së, lideri i VV-së tha se kanë dakordime dhe nuk kanë antagonizma.

“Situata në Kosovë është aq e rëndë, saqë nuk do të mund të thuhej se dallimet mes nesh do të jenë antagonizma, kemi obligim ta dërgojmë PDK-së në opozitë, do të bisedojmë për dakordimin e programeve tona”.

“S’kemi dallime ideologjike të mëdha, për shkak se LDK s’është parti e djathtë e llojit të Britanisë së Madhe apo Amerikës”.

Kurti foli edhe për sistemin e drejtësisë, kur ai të vie në pushtet.

“Më parë se për peshqit e mëdhenj, bëhet fjalë për peshkaqenë që s’janë aspak të vegjël, vetëm 1 përqind që i ka trajtu sistemi ynë në të kaluarën kanë qenë vepra korrupsioni, prandaj na duhet Ligji i Ri për prokurorinë”.

Jam optimist që prokuroria s’do të ketë qasje pasive, por do të hulumtojë, hetojë çdo korrupsion e më së pari atë më të madhin”.

Sa i përket raporteve me faktorin ndërkombëtar dhe takimet me ambasadorët e huaj që ka pasur pas zgjedhjeve, ai tha se është i interesuar t’i thellojë edhe më tej këto bashkëpunime.

“Me 6 tetor foli qytetaridhe populli duke thënë se ndryshim i madh nevojitet në Kosovë. Faktori ndërkombëtar e respekton popullin e Kosovës dhe i bëjnë konform kësaj edhe veprimet edhe deklarimet e tyre. SHBA do të jenë përkrah nesh. Jam i interesuar për thellim të bashkëpubnimit, me NATO-n me BE-në me Gjermaninë, por edhe me Britaninë, Francën e Italinë, se kemi nevojë për miq, aleatë e partner”.

E për dialogun me Serbinë, Kurti tha takimi i ardhshëm do të jetë me parime të larta.

“S’garantoj sukses me Serbinë, por përfaqësim të suksesshëm të Kosovës. Kosova s’do të jetë objekt në tryezë, por do të jetë subjekt palë, e barabartë me Serbinë.

Serbia s’mund të pres prej nesh atë që s’mund ta bëj vet”.