Kuvend, nesër tentim i ri për Ligjin për përdorimin e gjuhëve

Kuvend, nesër tentim i ri për Ligjin për përdorimin e gjuhëve

Kuvendi nesër do të votojë leximin e tretë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Në koordinimin e sotëm, partnerët e koalicionit bashkë me opozitën shqiptare dhe me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi kanë vendosur që seanca për leximin e tretë të mbahet në orën 13. Nga kabineti i kryetarit të ligjvënësit nuk bëjnë të ditur mënyrë se si do të veprohet në seancën e nesërme, respektivisht si do të kalohet ligji duke pasur parasysh mbi 35 mijë amendamentet e VMRO-DPMNE-së. Nga partia e Hristijan Mickoskit konfirmojnë pjesëmarrjen në seancën e nesërme. Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Dragan Danev tha se VMRO-ja do të futet në sallë vetëm në pikën që ka të bëj me ligjin e gjuhëve. Ditë më parë kryeministri Zoran Zaev paralajmëroi miratimin e ligjit të gjuhëve brenda javës në vijim. Zaev në të njëjtën kohë hodhi poshtë ofertën e VMRO-DPMNE-së për ta tërhequr nga procedura Ligjin për përdorimin e gjuhëve duke i mundësuar mbështetjen e VMRO-së në Kuvend rreth ligjeve reformuese. Nga ana tjetër, vetë Mickoski hodhi poshtë akuzat për qasje jo konstruktive dhe jo të përgjegjshme në Kuvend, duke akuzuar në të njëjtën kohë shumicën dhe Qeverinë për terror ndaj opozitës. VMRO-DPMNE-ja ka paralajmëruar tashmë disa herë se rast mos shqyrtimi të amendamenteve ndaj Ligjit të gjuhëve, shumica do të rrezikojë proceset reformuese, duke paralajmëruar kështu edhe tërheqje nga grupet e punës dhe mos mbështetje të ligjeve reformuese, miratimi i të cilëve kërkon 2/3 e votave. Shumica parlamentare pret që për dallim nga leximi i dytë, në fazën e tretë ligji të votohet nga 71 deputet. Ligji për përdorimin e gjuhëve u votua më 11 janar, ndërsa më 17 janar Presidenti Ivanov njoftoi mos dekretimin e tij nën arsyetimin se i njëjti bie në kundërshtim më Kushtetutën dhe cenon karakterin unitar të vendit.

Adrian Kerimi

TAGS