Alsat 2019-07-18T15:02:51+02:00
Pacientët në Maqedoninë e Veriut janë të diskriminuar në baza të ndryshme dhe këtë e pranon edhe ministri i shëndetësisë Venko Filipçe, i cili në Komisionin parlamentar të Shëndetësisë prezantoi propozim ligjin për të drejtat e pacientëve. Megjithatë VMRO-ja konsideron se para se të bëhet shumë zhurmë për ligjin është më mirë që ministri të përqendrohet tek avancimi i të drejtave të punonjësve të shëndetësisë, pasi sipas opozitës pacientët për të cilët flitet sot, nesër mund të mos ketë kush t’i kurojë, sepse çdo ditë mjekët po largohen nga vendi.
Nuk mund të ekzistojë ligj për avancimin e çështjeve minimale dhe të mos kemi ligj për të drejtat e mjekëve dhe ligj për të drejtat e të gjithë punonjësve të shëndetësisë. Kjo që bëni është njëjtë si të ndërtoni shtëpi, pa pasur themel. Ku do t’i përvetësojnë pacientët këto të drejta nëse mjekët na ikin nga shteti- deklaroi Vankover Mançev- VMRO-DPMNE.
Ministri Fillipçe, reagimin e deputetit të VMRO-DPMNE-së e quajti “sallatë fjalësh”. Sipas tij ndryshimet bëhen që ligji të jetë në përputhje me atë që kërkohet në Konventat Ndërkombëtare për të drejtat e personave me invaliditet.
Jam i befasuar që nuk jeni i informuar se me çfarë diskriminimesh përballen pacientët dhe sinqerisht shpresoj se këtë nuk e thoni me cinizëm kur u drejtoheni personave me aftësi të kufizuara, apo se janë të diskriminuar na bazë të gjinisë- tha Venko Filipçe- Ministër i Shëndetësisë.
Ministri Filipçe, ftoi deputetët e VMRO-DPMNE- së që sa më shpejtë të realizojnë takim ku temë diskutimi do të jetë Ligji për Mbrojtje Shëndetësore dhe ai për të Drejtat e punonjësve shëndetësorë. Ndërsa në kritikat e VMRO-së për nenin 4 të ligjit, që përmend kategoritë e margjinalizuara në mes të të cilave edhe të atyre në bazë të nënshtetësisë, tha se ligji është solidar dhe e drejta e shfrytëzimit të shërbimeve shëndetësore do t’i mundësohet gjithkujt që ndodhet në territorin e Maqedonisë së Veriut. Propozim ligji u miratua në lexim të parë me 5 vota pro dhe tre të përmbajtur.
Evi Shkop
Loading…