Në Kuvend janë kthyer një pjesë e ligjeve të cilat nuk u dekretuan nga presidenti Gjorgje Ivanov. Ndonëse leximi i tretë i tyre pritej të bëhej në një seancë, në plenare u vendosën vetëm pesë ligje në mesin e të cilëve edhe Ligji për Ndërprerjen e Shtatzënisë dhe Ligji për Mbrojtje dhe Parandalim nga Diskriminimi. Jashtë rendit të ditës mbeti Ligji mbi Agjencinë Teknike-Operative dhe Ligji mbi Agjencinë për Ndjekje të Komunikimeve Elektronike. Në seancë ishte ftuar edhe presidenti Ivanov, por ai nuk i është përgjigjur thirrjes së kreut të Kuvendit, Talat Xhaferi. I pari i ligjvënësit në takimin e fundit me gazetarët shpjegoi se Kuvendi shqyrton mundësinë që ligjet e pa-dekretuara nga Ivanovi të vendosen në votim edhe gjatë fushatës presidenciale, pasi që as Rregullorja dhe as Kushtetuta nuk kufizon punën e ligjvënësit derisa vijon fushata. Jo zyrtarisht shumica parlamentare nuk përjashton mundësinë që Ivanov të vazhdojë me praktikën e mos-dekretimit të ligjeve deri në fund të mandatit, gjë që lë hapësirë të kuptohet se një pjesë e ligjeve të sapo miratuara, dhe për të cilat nevojitet firma e presidentit, do të kthehen në lexim të tretë pas zgjedhjeve presidenciale. Ligjet e pa-dekretuara i pret fati i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve i cili po ashtu nuk u firmos nga Ivanovi. Pas leximit të tretë Ligji u dërgua në Gazetën Zyrtare, duke hyrë në fuqi pa firmën e kryetarit të shtetit. Kushtetuta e obligon kreun e shtetit që pas leximit të tretë të nënshkruaj dekretin e ligjit të cilin e ka kthyer pas leximit të dytë. Gjatë leximit të tretë amendamente mund të parashtrohen vetëm për nenet të cilët kanë ndryshuar pas leximit të parë.
Adrian Kerimi