Sot në Kuvend përfundon shqyrtimi publik i Ligjit të Prokurorisë Publike ku ekspertët kanë dhënë vërejtjet dhe sugjerimet e tyre për përmbajtjen e tekstit të propozuar nga ministria e drejtësisë. Përveç profesorëve universitar, deputetëve, OJQ-ve, të ftuar ishin edhe gjykatës, avokat dhe prokurorë aktiv. Në ditën e parë të shqyrtimit, prokurorja Fatime Fetai propozoi ndryshim të metodologjisë për zgjedhjen e prokurorëve dhe kryeprokurorit të Prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, ku mes tjerash tha se duhet të përfshihet edhe zyra e BE-së në Shkup.
Fatime Fetai
“Propozoj që në procedurën e përzgjedhjes për shef dhe prokurorë në atë prokurori të përfshihet edhe zyra e BE-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut përmes mbikëqyrjes nga momenti i intervistës deri në zgjedhjen e kandidatëve dhe edhe atë të japin mendim për ato kandidatë. Publiku të përfshirë maksimalisht, jo vetëm përmes publikimit të biografive të kandidatëve, por edhe në intervista nëse është e nevojshme. Le ta shohë publiku nëse prokurori di të shprehet apo jo”.
Në fillim të shqyrtimit, ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska, numëroi çështjet për të cilat kanë dallime të mëdha me opozitën dhe për to ajo kërkoi kryesisht mendimin e ekspertëve.
Renata Deskoska
“Cili duhet të jetë roli i partive në zgjedhjen e prokurorëve publik? A duhet të rregullohen komplet afatet për mbylljen e disa procedurave? A duhet të rregullohet afati deri kur vlejnë dëshmitë siç ishte kërkesa e këtillë për materialet e përgjuara? Më tej, një nga kërkesat është se duhet të vendoset obligim për përgjegjësi personale dhe material për shkeljen e të drejtave të caktuara. A dihet të ekzistojë garancion financiar për gjithë prokurorinë, veçanërisht për prokurorët e prokurorisë së krimit të organizuar dhe korrupsion?”
Gjatë shqyrtimit publik ekspertët dolën me qëndrime të shumta dhe në disa raste edhe të kundërta mes njëri tjetrit. Disa nga të ftuarit propozuan që përzgjedhja e prokurorëve të bëhet sipas modelit me të cilin u përzgjodhën anëtarët e Komisionit Shtetëror për parandalimin e korrupsionit.