Alsat 2019-09-14T19:00:44+02:00
Kuvendi miratoi propozimin që prokurorja speciale Katica Janeva të shkarkohet. 102 deputetë votuan pro. Vendimit i parapriu debat i ashpër mes pushtetit dhe opozitës. Sipas deputetit Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE-ja, Janeva duhej të shkarkohej shumë kohë më parë. Ai tha se pushteti e ka keqpërdorur Prokurorinë Speciale për të kërcënuar deputetë të VMRO-DPMNE-së dhe për të mbajtur nën kontroll BDI-në. Ndërsa deputeti i LSDM-së Jovan Mitrevski akuzoi VMRO-në se vazhdon të luftojë për të mbrojtur kriminelët partiak dhe Nikolla Gruevskin.
“Gjysma e të punësuarve në PSP drejtoheshin për kryeministrin si ‘Shefi’. Gjysma e të punësuarve atje janë nga organizatat komunale të LSDM-së. Eksperimente të tilla në momente do u duken interesante, zbavitëse do u duken se përmes tyre do kontrolloni BDI-në dhe do të kërcenin me 10, 15, 20 parahetime që i mbani në sirtar. Dhe ata do duhet të heshtin dhe të tërhiqen që ju me 39 deputetë ta kontrolloni gjithë situatën politike”-tha Ilija Dimovski, VMRO-DPMNЕ.
“Zaev dhe LSDM duan të vazhdojnë lëndët dhe hetimet e Prokurorisë Speciale, ndërsa Mickoski dhe VMRO-DPMNE-ja bëjnë gjithçka që të ndërpriten. Gjithçka tjetër është lajm i rrejshëm. Në periudhën e kaluar u pa se kush është për drejtësi, luftë të vërtetë kundër krimit dhe korrupsionit të lartë, për barabarësi para ligjeve”-pohoi Jovan Mitrevski, LSDM.
Ndërkohë deputeti i BDI-së Artan Grubi, deklaroi se më e sulmuara në këtë periudhë ka qenë partia e tij me qëllim që të përbuzet, ndërsa deputeti i Lëvizjes BESA, Fadil Zendeli tha se me shuarjen e Speciales varroset drejtësia në vend.
“Nuk ka parti për të cilën shpifet më shumë, nuk ka parti për të cilën janë botuar më shumë përgjime joligjore sesa për BDI-në. Me shitje dhe stërshitje, me zhvatje e kërcënime, me gënjeshtra dhe shpifje. Nuk ka propagandë më të shpifur sesa për BDI-në se jo na qenka parti e mbrojtur, jo na qenka parti e kriminalizuar”-tha Artan Grubi, BDI.
“Nuk bëjnë asgjë, por thjesht vetëm se e groposin një institucion për të cilin ka pasur dallime. Ka pasur edhe përkrahës ka pasur edhe kundërshtar, por sipas mendimit tim të dy palët e kanë varrosur këtë institucion dhe e varrosën shpresën e qytetarëve”-theksoi Fadil Zendeli, Lëvizja BESA.
Prokurores speciale Katica Janeva, nesër më 15 shtator, i përfundon mandati, por për shkarkimin e saj u vendos për shkak se ajo dyshohet se është e përfshirë në rastin “Reket” dhe ndodhet në paraburgim.
Mefail Ismaili
Loading…