Alsat 2020-07-12T16:25:56+02:00
“19 vjet nga konflikti i armatosur i 2001-shit. 18 vjet që kur partia e dalë nga ky konflikt, BDI-ja premton lapidarin përkujtimor në fshatin Sllupçan. Megjithatë gjithçka që është bërë janë këto shufra e lapidari përkujtimor ende nuk duket askund”.
Banorët e Sllupçanit, në mesin e të cilëve edhe ish pjesëtarë të UÇK-së janë të revoltuar me mos-ndërtimin e lapidarit, e cila sipas tyre, është më e pakta që mund të bëhet për dëshmorët.
“Ato të ushtrisë është dashur ta kryejnë atë punë, Ali Ahmeti. Të tjerët që do të vijnë pas a do ta kryejnë nuk e di. Kryesorja ato 18 vjet nuk e kanë kryer, ndërsa i gjithë ky popull ia ka dhënë votën atyre. Turp dhe i madh bile, sepse kanë bërë miliona, ndërsa një lapidar s’e kanë ndërtuar. Këtu ka pasur më së shumti dëshmorë”.
“Nuk është kujtuar aspak BDI-ja për ne këtej. I kanë shikuar vetëm familjet e veta, për të tjerët nuk janë kujdesur. Sot fëmijët e dëshmorëve bukë s’kanë për të ngrënë në shtëpi”.
“Në punën e lapidarit nuk duhet të hyjë politika, sepse politika ato punë s’i ka bërë.”
“Ajo është më e pakta që mund të bëjmë për ato që kanë dhënë jetën për lirinë që po e gëzojmë ne sot, falë gjakut të tyre dhe atyre luftëtarëve që kanë marrë pjesë në luftë”.
“Lapidari s’u bë. Është mirë të bëhet. Është mirë të jetë. E zbukuron edhe në aspektin kombëtar. Mirëpo nuk e dimë se kur bëhet e si bëhet.”
Kreu i komunës së Likovës thotë se procedurat përgatitore janë në fazën përfundimtare, por pa dhënë afat konkret se kur do të fillojë ndërtimi”.
Pas aprovimit të projektit ideor kemi vazhduar me procedurën për përgatitjen e dokumentacionit teknik. Pas kryerjes së kësaj procedure dhe dhënies së lejes për ndërtim do të vazhdojë procedura e thirrjes publike, kur dhe do të fillojmë dalë ngadalë ta ndërtojmë lapidarin e shumëpritur – deklaroi Erkan Arifi, Kryetar i Komunës së Likovës.
Anesa Saliu