Mbrëmë u publikua një video në të cilën shihej momenti i vdekjes së funksionarit të lartë shqiptar gjatë kohës së Jugosllavisë, z.Rrahman Morina. Morina shihej derisa pësonte arrest kardiak gjatë një mbledhjeje të Partisë Komuniste në Kosovë.
Profesori kosovar nga Prekazi, Blerim Latifi, ka rrëfyer se si ishte pritur në Prekaz vdekja e Rrahman Morinës – që për pjesën shqiptare në atë kohë nuk kishte gëzuar respekt të madh.
“Ishte mbrëmje kur u mor vesh lajmi për vdekjen e tij [Rrahman Morinës].” – fillon të rrëfejë Latifi. “Një gëzim i paparë kishte shpërthyer ngado. Njeriu më i urryer i atyre viteve, tradhtari më i madh, siç e quanin të rriturit, nuk jetonte më.” vazhdon ai.
Më pas, ai tregon se si shqiptarët e Prekazit, fshatit të Adem Jasharit, kishin filluar të shtinin me armë në ajër nga gëzimi.
“Të rriturit nuk e fshihnin gëzimin e madh dhe shpresën se të nesërmen gjërat do të bëheshin më mirë. Gëzimi dhe shpresa e asaj nate, ikën bashkë me të…. Nuk pati më gëzime kolektive dhe shpresa se gjërat do të ndryshonin shpejt u venit. Nuk pati as të shtëna. Deri në fundin e dhjetorit të vitit 1991, kur policia dështoi të arrestonte Adem Jasharin në shtëpinë e tij.” – shkruan ndër tjerash Latifi.
Më poshtë keni statusin e plotë të z.Latifi:
Si u prit në Prekaz lajmi për vdekjen e Rrahman Morinës?
Publikimi në media i pamjeve nga vdekja e Rrahman Morinës, më kujtoi një ngjarje të asaj dite. Ishte mbrëmje kur u morr vesh lajmi për vdekjen e tij. Një gëzim i paparë kishte shpërthyer ngado. Njeriu më i urryer i atyre viteve, tradhtari më i madh, siç e quanin të rriturit, nuk jetonte më. Kur ra nata, filluan të shtënat me armë. Ato dëgjoheshin nga të katër anët. Bashkë me disa shokë të lagjës, rrinim në sokak dhe spekulonim se nga vinin të shtënat dhe kush po shtinte Të rriturit nuk e fshehnin gëzimin e madh dhe shpresën se të nesërmen gjërat do të bëheshin më mirë. Gëzimi dhe shpresa e asaj nate, ikën bashkë me të. Të nesërmen disa autoblinda të policisë, në një demonstrim force, defiluan nëpër katund. Ishte kohë lagështie dhe gjurmët e thella që lanë nëpër ara dhe livadhe, nuk u zhdukën një kohë të gjatë. Me vite madje. Nuk pati më gëzime kolektive dhe shpresa se gjërat do të ndryshonin shpejt u venit. Nuk pati as të shtëna. Deri në fundin e dhjetorit të vitit 1991, kur policia dështoi të arrestonte Adem Jasharin në shtëpinë e tij.