LDK i reagon PDK-së: Nuk do të bashkëpunojmë kurrë me Listën Serbe

LDK i reagon PDK-së: Nuk do të bashkëpunojmë kurrë me Listën Serbe

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas deklaratave të Partisë Demokratike të Kosovës, ku kjo e fundit ka akuzuar LDK-në se ka bashkëpunuar me Listën Serbe për zgjedhjet në katër komunat veriore. 

LDK në reagimin e bërë i ka quajtur fëmijërore deklaratat e kandidates së PDK-së për kryetare të Mitrovicës së veriut, Gonxhe Çaushi, transmeton Telegrafi.

Lexo po ashtu:

Tutje në reagimin e bërë LDK, thekson se kjo parti nuk ka bashkëpunuar dhe nuk do të bashkëpunojë asnjëherë me Listën Serbe.

Reagimi i plotë:

“Pas deklaratave tendencioze të kandidates së PDK-së, Lidhja Demokratike e Kosovës reagon ndaj shpifjeve skandaloze dhe qëllim këqija, me anën e të cilave kandidatja për kryetare nga radhët e PDK-së ka deklaruar për qëndrimet e LDK-së rreth garës për kryetarë të Mitrovicës Veriore.

Ky rast ka dëshmuar edhe njëherë që në radhët e Partisë Demokratike të Kosovës rreshtohen figura jo kredibile, amatore dhe papërvojë në politikë. Ky rast është tipik “të them sa nuk më ke thënë”, duke u përpjekur në çdo formë të arrijë ngritje politike duke sulmuar partinë më të madhe në vend. LDK-ja ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë në shërbim të qytetarëve të saj dhe do të preokupohet me hallet e tyre”.

Këta njerëz të cilët shpifin se LDK-ja po bashkëpunon me Listën Serbe, janë po të njëjtit, të cilët në vitet paraprake kanë bashkëpunuar me Oliver Ivanoviç-in duke i siguruar vota dhe përkrahje në zgjedhje, dhe vazhdimisht janë përpjekur që të minimizojnë kontributin e LDK-së ndër vite.

Deklaratat e sotme janë thjeshtë fëmijërore dhe tregojnë edhe njëherë nivelin e mjerueshëm dhe papjekurinë politike të kandidates së PDK-së, e cila për fat të keq lë shumë për të dëshiruar.

Ne si LDK, njoftojmë opinionin e gjerë që të gjitha këto pohime të znj.Çaushi janë shpifje të ulëta të cilat nuk kanë asnjë bazë reale. LDK nuk ka bashkëpunuar dhe nuk do të bashkëpunoj kurrë me Listën Serbe dhe me argatët e saj për dëmtimin e interesave madhore, sado që kundërshtarët e LDK-së pretendojnë të kundërtën”./Telegrafi/

TAGS