“Lini alkolin dhe kthehuni në shtëpi!”, 4 të rinj rrahin policët dhe përfundojnë të akuzuar

“Lini alkolin dhe kthehuni në shtëpi!”, 4 të rinj rrahin policët dhe përfundojnë të akuzuar

Festa e katër të rinjve të arrestuar tashmë dhe një tjetri të shpallur në kërkim, ka përfunduar keq në zonën e Kamzës.

Siç kuptohet nga fashikulli i referuar nga policia lokale me oficere L.Shqyti, të rinjtë ishin duke pirë alkol në orët e mbrëmjes kur dy punonjës u kanë kërkuar të ruajnë qetësinë e të lënë alkolin.

Në fashikullin më numër 5227 të dërguar për gjykim që Gazeta “Si” disponon përmendet se “Ardian Hamzaj , Elson Koldashi, Ilirian Gjidia dhe Festim Tanushi pas këtij konflikti do të gjykohen për goditje për shkak të detyrës”.

Cfarë ndodhi?

Kallëzimi është dorëzuar pranë policisë nga dy efektivët P. Kadria dhe D. Shtrezi, të cilët sic theksohet në dosje, ishin duke patrulluar në këmbë gjatë shërbimit në zonën e Bathores.

Në raportin e shërbimit shtohet se dy efektivët ishin planizuar për turnin e mesnatës dhe rreth orës 01.30 kanë vërejtur katër persona që po qëndronin në një bar dhe po bënin zhurmë.

Prokuroria shton “këta persona ndodheshin në lokalin “Univers” dhe pas kërkesës së policisë që të mbaronin pijet alkolike dhe të largoheshin, njëri prej tyre i identifikuar si Ardian Hamzaj, afrohet dhe e godet me grushta punonjësin e policisë, duke arritur që t’i thyejë njërin dhemb policit P.Kadria.

Pas këtij veprimi ndaj dy efektivëve janë sulur edhe personat e tjerë që gjendeshin në tavolinë dhe kanë filluar t’i godasin”. Sherri masiv ndaj policëve në patrullë është vendosur nën kontroll vetëm pasi aty kanë mbërritur forca të tjera shtesë edhe pse në vendngjarje kanë gjetur policët e rrahur, kurse të rinjtë janë arrestuar pas kontrolleve.

Çfarë deklaruan policët e sulmuar

Të dy policët thonë se pasi kanë marrë detyrën si patrullë e përgjithshme dhe kanë parë disa të rinj duke parë janë afruar.

Policët: “Morëm kontakt me njërin prej tyre, të cilin e identifikuam si Ardjan Hamzaj, pasi ky shtetas ka precedentë penalë. U thamë të mbarojnë pijet alkolike dhe të kthehen në shtëpi.

Sapo thamë këtë gjë, pa bërë asnjë lëvizje dhe asgjë tjetër, njëri prej tyre, pa bërë zë dhe asgjë më shumë, goditi njërin prej nesh me grusht në fytyrë. Pas kësaj u afruan dhe personat e tjerë dhe na goditën”.