Lista e funksionarëve të rinj është gati. Pas kalimit të filtrave në Ekzekutiv, lista ka arritur ne Kuvend bashkë me biografitë e kandidatëve për ministra, zëvendësministra dhe funksionarë shtetërorë. Nga Qeveria jozyrtarisht kanë liferuar edhe emrat e funksionarëve të rinj, të cilat janë konfirmuar edhe nga vetë partitë të cilat i kanë kandiduar. Në Qeverinë e re të kompletuar pas shumë muajsh pritje, Lëvizja Besa do të udhëheq Ministrinë e Kulturës, ndërsa do të ketë edhe sekretar shtetëror në Ministrinë e Drejtësisë. Në krye të kulturës do të emërohet Asaf Ademi, ndërsa Faton Selami është nominuar për sekretar shtetëror në Drejtësi.
Pas 10 vitesh Qeverisë i bashkohet edhe PDSH e Menduh Thaçit me një ministër dhe një zëvendësministër. Ish kandidati i kësaj partie, Bardhyl Dauti është kandiduar për ministër pa resor, i angazhuar për investime të huaja, ndërsa ulësen e dytë në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve do ta zë Musadik Beqiri. Ndryshime do të ketë edhe në dikasterët që kanë udhëhequr partnerët e deritanishëm të koalicionit qeveritar LSDM dhe BDI.
Ministrja aktuale e Arsimit, Renata Deskovska është propozuar për ministre të Drejtësisë, ndërsa në vendin e saj, në krye të Arsimit dhe Shkencës do të ulet zëvendës ministri i deritanishëm, Arbër Ademi. BDI-së do t’i takojë edhe posti i zëvendës ministrit të Shëndetësisë për ku është nominuar Asim Musa nga dega e Strugës.
Vetë kryeministri Zoran Zaev paralajmëroi se shumë shpejtë lista e plotë me emrat e kandidatëve për ministra dhe zëvendësministra bashkë me biografitë e tyre do të dorëzohet në Kuvend. Zgjedhja e tyre dhe marrja e detyrave zyrtare pritet të ndodh gjatë kësaj jave. Me këtë zgjedhje, pas shumë kohë do të kompletohet kabineti qeveritar i cili mbeti i zbrazur pas largimit të Aleancës nga Qeveria dhe pas dorëheqjes së ministrit të Drejtësisë, Bilent Saliu. Me hyrjen e Lëvizjes Besa dhe PDSH-së në Qeveri do të rritet edhe shumica parlamentare, që ishte një ndër arsyet për të cilat kryeministri Zaev tha se ka vendosur të zgjerojë koalicionin qeveritar.
https://www.youtube.com/watch?v=7vh-sK0kO4Q