Masat ekonomike të Qeverisë së udhëhequr nga LSDM sjellin ekonomi të re zhvillimore dhe mbështetje të fuqishme për qytetarët dhe ekonominë. Kështu thotë LSDM në një njoftim drejtuar mediave, ndërsa ka shtuar se pakoja e tretë e masave ekonomike do të mundësojë rimëkëmbje të ekonomisë së Maqedonisë përmes mbështetjes direkte financiare të qytetarëve.
“Seti i ri i masave të Qeverisë të udhëhequr nga LSDM, në vlerë prej 355 milionë euro përfshin 730.000 shfrytëzues dhe do të simulojë rritje të likuiditetit, mbrojtjes, promovimit dhe rritjes së ofertës ekonomike vendore, ndërsa ofron edhe mbështetje për bujqit, si dhe për turizmin vendor. Një pjesë e pakos së tretë të masave ekonomike janë kartelat pagesore të cilat dukshëm do t’u ndihmojnë qytetarëve në kushte të krizës dhe do ta përforcojnë shitjen e prodhimeve vendore. Kartela pagesore vendore në vlerë prej 9.000 denarë është destinuar për personat e papunë dhe marrësit e ndihmës sociale”, thuhet në njoftimin e LSDM-së.
Masat ekonomike kanë për qëllim ta ndihmojnë turizmin vendor, vijon më tej njoftimi, ashtu që të punësuarit me të ardhura deri në 15.000 denarë në muaj do të marrin vauçer për turizëm vendor prej 6.000 denarë dhe kartelë pagesore vendore prej 3.000 denarë.
“Të rinjtë do të marrin mbështetje financiare prej 6.000 denarë dhe kartelë pagesore vendore me vlerë prej 3.000 denarë, si dhe vauçerë për bashkëfinancim të trajnimeve dhe kurseve për IT dhe shkathtësi digjitale. Pakoja e tretë e masave ekonomike është mbështetje direkte për ekonominë e Maqedonisë, për inovativitet, zhvillim dhe ruajtje të vendeve të përhershme dhe të reja të punës. Qeveria e udhëhequr nga LSDM do të vendosë në dispozicion mjete financiare për mbështetje të kompanive Start ap të vogla dhe të mesme përmes bankave komerciale me 10 milion euro kapital fillestar”.