Luajti për PSG-n, tani vesh fanellën e Drenicës: Kostoja e jetesës në Kosovë më e ulët, paguhem me rregull

Luajti për PSG-n, tani vesh fanellën e Drenicës: Kostoja e jetesës në Kosovë më e ulët, paguhem me rregull

Klubi i Drenicës vendosi të përforcohej në mënyrën më të mirë të mundshme në afatin kalimtar të janarit, në krye me presidenten Mihane Kodra-Bekteshi, e cila ia plotësoi kërkesat trajnerit Gani Sejdiu.

Njëri prej përforcimeve më të mira të klubit drenicas ishte mbrojtësi Souleymane Coulibaly, i cili iu bashkua Drenicës në janar të këtij viti.

22-vjeçari nga Franca në një intervistë me “Sofoot” është rrëfyer për jetën në Kosovë, derisa thotë se është duke e shijuar këtë aventurë.

“Sigurisht nuk dija shumë për Kosovën. Ky vend ka shpallur pavarësinë që prej vitit 2008 dhe e dija se ka pasur një luftë këtu, por qe një kohë të gjatë ka qetësi”, ka thënë fillimisht ish-futbollisti i Paris Saint-Germainit.

“Nuk di shumë për futbollin kosovar, por e di që Përfaqësuesja e Kosovës ka marrë rezultate të mira kohëve të fundit dhe se ka gjasa të kualifikohet në Kampionatin Evropian, ndërkaq klubet kosovare nuk i kam njohur edhe aq mirë. Kosova është larg dy orë nga Parisi, kështu që vendosa të vij këtu”, tregon më tej 22-vjeçari.

Ai thotë se pas “shpërthimit” të pandemisë COVID-19 udhëtoi drejt Francës për t’u rikuperuar nga një lëndim dhe se tani pret që të hapen kufijtë për t’u rikthyer në Kosovë.

Coulibaly nuk ka ngurruar të flasë as për aspektin financiar në Kosovë, derisa thotë se paguhet më pak se në Francë, por se pagën e merr me rregull.

“Fitoj më pak në Kosovë, por ne kemi shpenzime më të vogla dhe ushqehemi në restorantin e presidentes së klubit. Kostoja e jetesës në Kosovë është më e ulët se në Francë. Klubi është i saktë dhe pagat i marrim çdo muaj”, theksoi Coulibaly.

MEDIAL.mk