“Luftime të rënda” në ditën e dytë të operacionit turk në Siri

“Luftime të rënda” në ditën e dytë të operacionit turk në Siri

Ushtria turke vazhdoi të enjten ditën e dytë të ofensivës kundër milicive kurde, që kontrollojnë territorin e Sirisë përgjatë kufirit me Turqinë.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i hodhi poshtë kritikat ndërkombëtare për operacionin ushtarak në lindje të Lumit Eufrat, duke përsëritur se ofensiva ka për qëllim “të eliminojë terrorin” përgjatë kufijve të Turqisë.

Erdogan po ashtu tha se forcat e armatosura turke, deri më tash, “i kanë neutralizuar” gjithsej 109 “terroristë”, duke iu referuar milicive kurde.

Më herët, forcat e armatosura turke thanë se kanë goditur 181 caqe me sulme ajrore, që nga fillimi i operacionit të mërkurën.

Forcat Demokratike Siriane, të udhëhequra nga kurdët, raportuan për “përleshje të rënda” në fshatrat kufitare.

Operacioni fturk filloi pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, urdhëroi tërheqjen e trupave amerikane nga këto zona.

Vendimi nxiti kritika dhe shqetësime sidomos për civilët sirianë.

Turqia, tash e sa muaj, ka kërcënuar se do të nisë operacionin ushtarak në kufirin e saj me Sirinë, duke thënë se dëshiron të krijojë një “zonë të sigurt” atje, ku edhe do të dërgonte miliona refugjatë sirianë.

Turqia i konsideron milicitë kurde në Siri si pjesë të Partisë së ndaluar të Punëtorëve të Kurdistanit, e cila ka luftuar për autonominë kurde brenda Turqisë për tri dekada me radhë.

Këto milici, megjithatë, e mohojnë çdo lidhje të drejtpërdrejtë organizative me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit.

Milicitë kurde kanë qenë aleate të forcave amerikane në luftën kundër grupit militant Shteti Islamik në Siri.