“Lutjet e mesnatës” së Kim Mehmetit, mes reales dhe sureales

“Lutjet e mesnatës” së Kim Mehmetit, mes reales dhe sureales

Shkruan: Majlinda Nana Rama

Emri i shkrimtarit Kim Mehmeti nuk e ka shumë të nevojshme prezantenë për krijimtarinë e deritanishme, pasi e ka krijuar staturën e një prej prozatorëve më në zë të letrave shqipe, me kolanën e artit të tij, gati gjysmëshekullore. Prandaj, që të mos bie në përsëritje, të atyre që janë thënë e shkruar nga kolegë të mi, mbi korpusin krijues të tij, po ndalem tek libri më i fundit i tij “Lutjet e mesnatës”(Botimet “Agora”, 2019).

Natyrshëm lind pyetja, ç’janë lutjet e mesnatës dhe pse pikërisht në mesnatë?
Lutjet e mesnatës së këtij libri, janë, padyshim, emblemë dhe identikit i njeriut të ditës – heroit – unit autorial, që i shqetësohet shpirti dhe indi i tij për botën e ndërtuar mbrapsht, atë të sotmen. Dhe mesnata shënon orën dhe kufirin zero, mes asaj që mbetet pas dhe të mëpastajmes që do të vijë. Ja pse lutje në mesnatë. Lutje për të mos patur një të djeshme të sekondëkaluar, atje ku është edhe caku ndarës: dje-sot-nesër apo edhe më tej, e mirë – e keqe… Lutje për të patur një të nesërme të mirë.

Pse në mesnatë?

Sepse shpirti i trazuar i shkrimtarit nuk gjen paqe (nuk anatemon të keqen, “i fal ngaqë nuk dinë ç’bëjnë”), por vazhdon të mos gjejë prehje nëse e nesërmja do të ketë të njëjtën shëmbëlltyrë si e sotmja. Lutja është thelbi i humanes që na dikton qysh në titull Kim Mehmeti, madje lutja e mesnatës është kufiri i ndarjes nga një e djeshme e padëshirueshme, e thënë me eufemizëm. Dhe këtu është momenti që ‘të nxjerrë krye’ lexuesi: sa dhe si ndihet i pak-gjithë-a tejpërfshirë në heroin dhe unin autorial. Kjo është sfida për lexuesin – jo e vështirë dhe që kërkon përqëndrim, por edhe angazhim njëheraz.

Ngjarjet në tregimet e Kimit vërtiten rreth jetës së përditshme, me zhvillimet, të papriturat urtësitë, shpirtin human e njerëzor, dalldisjen dhe heshtjen, të bukurën dhe të shëmtuarën, mes reales dhe ëndrrës, dëshirës dhe refuzimit. Ato përsillen rreth dashurisë, urrejtjes, tepërisë dhe të munguarës. Autori ka gjetur një shteg dimensional në veprën e vet, duke e përsosur çdo hapësirë narrative me përshkrime e mendime që hapërojnë nëpër kohë e hapësirë.

Përmendim këtu: “Portreti i babait”, “Gjarpri i shtëpisë”, “Nora”, “Në xhepin e jelekut të gjyshes” etj.
Imagjinata e tij nuk njeh status quo, ajo lëviz duke sjell me vete kombinime ngjarjesh reale me ato nga më magjiket. Kimi bëhet mjeshtër mpleksjes së imtësive, grimcave, gjërave të vogla në përmbushje të ideve të mëdha (“Nëna ime”, “Djaloshi që mblidhte pendë”, “Tanusha”, “Te shtëpia e Fakit”, etj.)

Pasi lexojmë nëpër margjina ne shohim se si shpalos, pa sforco, një mori sjelljesh e ndjesish, që shpesh nuk vërehen ose vërehen vec nga syri survejues dhe i vëmendshëm. Brenda kësaj perspektive autori bën analizë të jetës shoqërore në përgjithësi.

“Lutjet e mesnatës” vjen me personazhe nga jeta e përditshme. Me veset e dëshirat e përhershme. Disa me paragjykime, disa të mbushur me pasion, të tjerët me ndjenja të vecanta që lidhen me botën materiale e shpirtërore. Në këtë përmbledhje i gjen pothuajse të gjitha tipet njerëzore. Edhe pse në disa tregime personazhet rimerren si emra, ata vishen me petk tjetër. Filozofia që e shoqëron mendimin kreativ të Kimit vihet re tek flladit përherë, herë dukshëm e herë në mënyrë diskrete, personalitetin dhe karakterin e personazheve të tij.

Kimi vendos në qendër ngjarje – personazh dhe rreth këtyre dy shtyllave nis të ravijëzojë një mori të tërë rrugësh, alternativash e vizionesh. Ato dalin natyrshëm, sepse rrjedhat e shkrimit tregimtar ecin ashtu, lirshëm e pa ngërç improvizues. Kjo ndodh te të gjitha tregimet e tij, pa përjashtim, aq sa lexuesi nuk arin të bëjë dot dallimin e të përzgjedh se cilin tregim mund të vendos në kulm të këtij libri. Kjo vjen edhe si rrjedhojë e pjekurisë shkrimore e mendimore të Kimit.

Duke iu referuar subjekteve të paraqitura në secilin tregim, vëmë re se kemi të bëjmë me prozë tregimtare gati të një realizmi magjik, ku personazhet vihen në shërbim të problemeve jetësore shoqërore, që ndërtojnë e shkatërrojnë deri në zhbërje ndjenjën njerëzore dhe nga ana tjetër, aspiratën e përhershme për gjetjen e më të mirës së njeriut.

Për ta detajuar, në tregimet e librit “Lutjet e mesnatës” shohim: tipare realiste, në paraqitjen e personazheve nga shtresa të ndryshme shoqërore; elemente realiste, që pasqyrojnë zhvillimet e ditës; vendi i zhvillimit të ngjarjeve është ai që autori e prek cdo ditë, e njeh, ka ecur në të dhe e mban tërë kohës me vete, nëpër hapa narrative.
Krahë për krahë me këtë bosht real autori sfidon me surealen, në papërcaktimin e kohës dhe hapësirës, kominikimin e personazheve të gjallë e të vdekur, vendosjen pranë e pranë të historive të qenësishme dhe imagjinare.

Në pikëpamje historike, proza e shkurtër e Kimit paraqet në detaje jetën e gjallë të shekullit që jeton ndërsa sa i takon një pikëpamjeje tjetër, asaj shoqërore, Kimi sjell tjetërsimin, transformimin e thelbit të njeriut, kërkesat për njohjen ndaj vetes, mundimin për të mbërritur tek kuptimi në tërësi i qenies dhe materies.
Gjithë ky arsenal dhëniemarrjesh e zhvillimesh na con në kurmin psikologjik të veprës, përkatësisht të tregimit të Kimit, ku gjejmë vlerën materiale e atë shpirtërore përballë njëra tjetrës me njeriun në mes, në rastin e Kimit me njeriun që, sidoqoftë, kërkon të përsoset përmes një lufte të heshtur.

Rrëfenjat e Kim Mehmetit përqasen me rrëfenjat e Mitrush Kutelit, ku shohim dendurisht rrëfime mbi ngjarjet e rrëfyera,por ashtu gjejmë edhe magjizmin markezian në ndërtimin e subjektit dhe intrigës, ndërsa rimarrja dhe risjellja e personazheve në situata të ndryshme, në tregime të ndryshme, na përsjellë “Komedinë njerëzore” të Balzakut, por bash me origjinalitetin e Kim Mehmetit.

Në mbyllje, individualiteti autorial i shkrimtarit Mehmeti, vihet re edhe në strukturën e veçantë e boheme që ai ndërton. Për këdo që lexon prozën, përkatësisht, tregimin e Kim Mehmetit vë re se sa me natyrshmëri ecën nëpër teknika origjinale, pa ndjekur forma narrative të mëhershme. Kjo i bënë tregimet e këtij libri dinamike dhe rrezatuese në aureolën e letrave shqipe në kapërcyell të dy shekujve letërsi.