4 March 2018 / 12:45
Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres shprehën shqetësimin e madh përballë situatës në Gutan Lindore, ku autokolonat e OKB-së duhet të lejohen të dërgojnë ndihma në enklavën rebele siriane, sipas Elyse.
“Gjatë një bisede telefonike dje në mbrëmje, presidenti francez dhe kreu i OKB-së rikonfirmuan vendosmërinë e tyre të plotë për të mundësuar aplikimin nga regjimi sirian dhe aleatët e tij të rezolutës 2401, veçanërisht për aksesin humanitar”, theksoi Elyse.
“Autokolonat e OKB-së duhet të shpërndajnë që prej këtij momenti asistencë mjekësore për popullsinë e rrethuar”, shtoi presidenca franceze.
Macron do të zhvillojë sot një bisedë telefonike për Sirinë me homologun iranian, Hassan Rohani, pasi Teherani është një prej mbështetësve kryesorë të regjimit sirian.
Një javë pas miratimit, rezoluta e OKB-së parashikon një armëpushim 30 ditor, por për momentin nuk është aplikuar në terren ku forcat e regjimit dhe aleatët e tyre kanë intensifikuar ofensivën tokësore kundër grupeve rebele.