Presidenti francez, Emmanuel Macron deklaroi sot se ishte optimist që një marrëveshje e mundshme mbi Brexit po finalizohet aktualisht.
Duke folur në një konferencë shtypi me kancelaren gjermane, Angela Merkel, pas një takimi të përbashkët qeveritar, Macron u shpreh se shpresonte që nënshkrimi i një marrëveshjeje të mund të realizohej gjatë një samiti të liderëve të BE-së të enjten.
Presidenti francez dhe kancelarja gjermane u takuan sot në jug të Francës, një ditë para samitit të Bashkimit Europian.
Zyrtarët e BE-së dhe britanikët po përpiqen të arrijnë marrëveshje përpara samitit të së enjtes në Bruksel, i fundit para daljes së planifikuar të Britanisë nga BE-ja më 31 tetor.
Zyra e presidentit Macron njoftoi se tema diskutimi për delegacionet franceze dhe gjermane, përfshirë ministrat kryesorë nga të dy qeveritë, janë edhe tensionet e tregtisë globale, luftën kundër ndryshimit të klimës, projektet evropiane të mbrojtjes dhe si të mbrojnë rregullat e të drejtave të autorit të BE-së.