Maqedonia e Veriut ende po pret konfirmime zyrtare nëse vendi mund të rrezikohet nga virusi koronavirusin, i cili në Kinë deri tani ka marrë 9 viktima. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe thotë se janë në komunikim me zyrën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për rekomandime eventuale ose për të bërë skrining në aeroportet e shtetit tonë. Ai shton se më shumë informacione, do të kenë brenda ditës, ku do të zhvillohet edhe mbledhje e Komisonit për Sëmundje Ngjitëse.
Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë
“Dje kemi pasur bisedime jozyrtare, duke pasur parasysh faktin se tashmë ka një aktivitet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe po shikohen rekomandime eventuale dhe për vendet më të largëta, ku tani po ndodhin paraqitje të sëmundjeve ngjitëse nga ky virus. Të shohim se si janë informacionet, po komunikojmë me personat zyrarë të Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Ajo që biseduam dje, është nëse eventualisht paraqitet nevojë ose rekomandim për ndonjë skrining në aeroporte. Deri tani nuk ka, paralajmërim të tillë. Megjithatë, gjatë ditës do të kemi më shumë informacione”.
Mediat lokale të Kinës kanë raportuar se janë regjistruar 9 viktima, në qytetin Wuhan, ku muajin e kaluar u regjistrua vdekja e parë nga virusi. Gjithsej në Kinë virusi ka prekur mbi 1700 persona. Përveç Kinës, deri tani ai ka arritur të depërtoj edhe në 4 shtete të tjera, në SHBA, Japoni, Koreja e Jugut dhe Tajlandë.
Zyrtarët kinezë të shëndetësisë tashmë konfirmuan transmetimin nga personi në person të këtij virusi fatal. Ndërkohë, një zbulim i ri i hetuesve kinezë zbuloi se virusi u transmetua tek njerëzit përmes “kafshëve të egra”. Një studim i realizuar nga Qendra për Bashkëpunim e OBSH-së në Universitetin e Hong Kongut, vlerësoi se pothuajse 1.350 persona janë infektuar nga virusi në periudhën midis 1 dhe 20 janarit në Wuhan.
Me ngritjen e alarmit për koronavirusin në të gjithë globin, Organizata Botërore e Shëndetësisë gjatë ditës do të zhvillojë një takim urgjent në Gjenevë.
Koronaviruset janë një familje e madhe e viruseve që variojnë nga ftohja e zakonshme. Disa shkaktojnë sëmundje më pak të rënda, por disa mjaft të rënda. Disa transmetohen me lehtësi nga një person në tjetrin, ndërsa disa jo. Emine Ismaili /SHENJA/