9 Dhjetor 2018 / 16:37
Intensifikohen përgatitjet e draft versionit të ligjeve dhe ndryshimeve ligjore që kanë të bëjnë me reformat, me qëllim që ata të dorëzohen në Kuvend gjatë javës që vjen dhe të miratohen deri në fund të muajit. Këtë në një intervistë për Alsat e deklaroi përfaqësuesi i Qeverisë në grupin për reforma të Trupit për pajtim, Bojan Mariçiq. Ai tha se ligjet që kanë qenë rekomandim i Pribesë, kanë mbështetjen e 80 deputetëve dhe shtoi se mbeten të hapur edhe për bashkëpunim me VMRO-DPMNE-në.
Z. Mariçiq, ju jeni përfaqësues i Qeverisë në grupin e punës për reforma në kuadër të trupit për pajtim në Kuvend. Deri ku është procedura për përpilimin e ligjeve për reforma të cilët duhet që së shpejti nga Qeveria të dorëzohen në Kuvend dhe cilat nga këto ligje do të jenë prioritare në të gjithë këtë proces?
Në 3 dhjetor të këtij viti, grupi i punës për reforma në kuadër të Trupit ndërparlamentar për pajtim kishte takim dhe solli vendim me të cilin e angazhoi qeverinë që deri nga mesi i muajit, diku deri më 15 dhjetor të përgatisë propozim-tekste për një numër të caktuar të ligjeve të cilët do t’i përfshijnë tre fushat kyçe në procesin e reformave i cili duhet të na mundësojë fillimin e negociatave me BE-në në qershor të 2019-tës. Ata janë në tre fusha: gjyqësori, reformat në administratën publike, reforma në shërbimet e sigurisë dhe në mënyrë plotësuese në gjyqësor; lufta kundër korrupsionit. Ky është ligji për gjykatat, ligji për Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin gjyqësor, ligji për Prokurorinë Publike dhe ligjet e reja që duhet ta përcaktojnë punën e DSK-së së reformuar. Për momentin në tavolinë në atë grup pune janë përfaqësues të 80 deputetëve të cilët votuan për hapjen e Kushtetutës gjatë muajit tetor.
Për ta pasur më të qartë shikuesit, cilat do të ishin ndryshimet më domethënëse që do të ndodhnin pas miratimit të gjithë këtyre ligjeve?
Me këto ndryshime, qëllimi është që të përforcohet mënyra e zgjedhjes dhe shkarkimit të gjykatësve dhe të prokurorëve publik, të vërtetohen kritere më të qarta dhe më të forta në bazë të të cilave gjykatësit dhe prokurorët do të zgjidhen dhe do të shkarkohen. Po ashtu, të forcohet pozita e Akademisë për gjykatës dhe prokuror publik dhe të definohet më konkretisht dhe të mundësohet kontroll i jashtëm edhe i pushtetit gjyqësor por edhe i policisë. Në një pjesë të ligjeve parashikohet edhe mekanizëm për vendosjen e kontrollit mbi policinë, vendoset koncept tërësisht i ri për Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim sipas të cilës ajo si institucion do të jetë jashtë Ministrisë së Brendshme, do të jetë e pavarur dhe bashkë me Agjencinë e re Teknike Operative duhet të jetë garancë se më nuk do të ketë materiale të përgjuara ilegale dhe se çdo përgjim do të bëhet sipas ligjit, do të kontrollohet nga pushteti gjyqësor dhe nga institucionet e tjera. Në këtë pako me siguri do të jetë edhe ligji për Prokurorinë Speciale dhe ligji për Komisionin Kundër Korrupsionit.
Përmendët se në kuadër të këtyre propozim-ligjeve dhe reformave keni mbështetjen e përfaqësuesve të grupeve që përfaqësojnë 80 deputetët që votuan për ndryshimet kushtetuese. A keni konsultuar deri tani VMRO-DPMNE-në opozitare për mbështetje për këto reforma?
Në kuadër të Trupit për pajtim dhe të grupit të punës për reforma ka ftesë të hapur për të gjithë 120 deputetët të të gjithë partive, përfshirë edhe deputetët e VMRO-DPMNE-së. Për momentin vinë përfaqësues të 80 plus deputeti i GROM-it, Panço Minov. Në periudhën e ardhshme ne sapo të miratojmë ndonjë propozim-tekst, gjithsesi se do t’i konsultojmë të gjithë partitë në Kuvend megjithatë qëllimi jonë para së gjithash është që reformat të jenë cilësore, në pajtim me standardet dhe rekomandimet evropiane dhe të sillen në kohë.
Nëse këto propozim-ligje ose propozim-ndryshime të ligjeve për një kohë të shkurtër dorëzohen nga qeveria në Kuvend, për sa pritet që të përfundojë i gjithë procesi edhe në Kuvend dhe të miratohen këto ligje?
Me siguri, dhjetë ditët e fundit të dhjetorit duhet të pritet që një pjesë e këtyre ligjeve do të miratohen. Ne do të punojmë në mënyrë intensive në ditët e ardhshme që për një numër sa më të madh të ligjeve të kemi tekst por është shumë e rëndësishme që të gjithë zgjidhjet ligjore të jenë mirë të konsultuara, komunikuara dhe miratuara nga ana e Komisionit Evropian dhe BE-ja. Sepse në fund, kur t’i sjellim këto ligje dhe do të fillojnë të funksionojnë në sistem, është e rëndësishme të fitojmë edhe vlerësim të mirë nga BE-ja sepse vetëm ashtu do të jemi të sigurt se kemi bërë gjithçka për të filluar negociatat në qershor të 2019-tës. Gjithsesi ka hapësirë që edhe gjatë muajit janar të miratohen të tjerët që nuk do të arrihen tani sepse gjithsesi, është afat i shkurtër.
Fatlume Dervishi
Loading…