18 Shtator 2018 / 18:57
Në vazhdën e vizitave të zyrtarëve të lartë ndërkombëtarë për mbështetje të referendumit të 30 shtatorit, në Maqedoni qëndroi Ministri i Jashtëm Gjerman Heiko Mas i cili u prit nga homologu i tij maqedonas, Nikolla Dimitrov. Mas inkurajoi qytetarët që të jenë pjesë e ndryshimeve historike siç është Marrëveshja e Prespës dhe që të mos e humbasin shansin e rëndësishëm dhe të vetëm për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE. Sipas tij, Maqedonia dhe i gjithë Ballkani Perëndimorë do e ketë mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë në procesin e integrimeve.
Nuk mund të ketë moment më të mirë për vizitë këtu, e pastaj do të shkojë edhe në Greqi. Ju me Qeverinë Greke e keni bërë lëvizjen historike pas plotë 25 vitesh, ndërsa tani është në dorën tuaj që këtë shans historik të këtij kontesti ta zgjidhni njëherë e përgjithmonë. Propozoj që më 30 shtator qytetarët e këtij shteti ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike dhe të votojnë. Vëlla Nikolla, ti gjatë kohë ishe pjesë e bisedimeve për emrin dhe personalisht ke merita të mëdha për angazhimin, andaj dua të të përgëzojë. Vitin e ardhshëm mund t’i filloni bisedimet për hyrjen në BE, ndërsa ne jemi PËR perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimorë- tha Heiko Mas – Ministër i Jashtëm i Gjermanisë.
Ministri i Jashtëm Nikolla Dimitrov tha se referendumi i 30 shtatorit do të mundësojë fillimin e ndërtimit të një ardhmërie më të mirë për gjeneratat e reja në vend. Ai tha se qëllimi i Qeverisë nuk është vetëm tek integrimi i Maqedonisë në BE, por te krijimi i standardeve evropiane brenda shtetit.
Duke pritur në gropë, ne jemi përballur me një situatë kur të rinjtë e talentuar kanë ikur jashtë shtetit me pasaporta të huaja. Patjetër e kemi që të krijojmë kushte në shtëpinë tonë, ky do të jetë proces i rëndë por nuk ka rrugë tjetër. Prioritete janë rregullimi i standardit tonë, ekonomisë tonë, shans të njëjta për të gjithë dhe sjellja e drejtësisë këtu, me qëllim që të rinjtë fatin e tyre ta kërkojnë këtu në Maqedoni- tha Nikolla Dimitrov – Ministër i Jashtëm i Maqedonisë.
Dimitrov duke e komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila nesër pritet të dalë me vendim për kushtetutshmërinë e referendumi, tha se asnjë organ nuk ka të drejtë që të ua merr çelësin qytetarëve dhe të vendos për ardhmërinë e tyre. Ndërkaq në mbështetje të referendumit në Shkup qëndron edhe nënkryetari i Parlamentit Evropian Dimitros Papadimulis i cili u takua me kreun e Kuvendit Talat Xhaferi.
Besian Leka