MASHT-i ndan sërish mjete për shkollën në Busavatë të Kamenicës, kompania kontraktuese nuk i mbaroi punimet në kohë (Video)

MASHT-i ndan sërish mjete për shkollën në Busavatë të Kamenicës, kompania kontraktuese nuk i mbaroi punimet në kohë (Video)

Shkolla e fshatit Busavatë të Komunës së Kamenicës, ka dy vite që ka filluar punimet ndërsa së fundi kompanisë kontraktuese i ka skaduar afati i kohës prej kur është dashur të finalizoj punimet në këtë shkollë.

Nga Ministria e Arsimit u bë e ditur se i kanë kërkuar kompanisë në fjalë të ndërpres punimet për shkak të vonesave gjatë punimeve.

Në muajin mars të vitit 2017 kishte filluar ndërtimi i shkollës në fshatin Busavatë të komunës së Kamenicës, e në marsin e këtij viti ka përfunduar koha kontraktuese për ndërtimin e kësaj të fundit, mirëpo shkolla nuk është as afër finalizimit, bën të ditur drejtori i kësaj shkolle Abedin Maliqi.

“Siç po shihni kanë përfunduar muret, dritaret dhe dyert e jashtme, ndërsa brenda asgjë nuk ka mbaruar. Prandaj ka më tepër se gjysma e punimeve për t’u kryer”, shprehet për RTV Dukagjinin, Abedin Maliqi.

Ndërkaq kushtet në objektet ku po zhvillohet mësimi në këtë fshat janë tejet të rënda. Madje sipas mësimdhënësit të kësaj shkolle, ata kishin gjetur edhe një gjarpër në tualet, si dhe minj e brejtës të tjerë.

“Është e vërtet se ka ndodhur që në klasë të shëtisin minjtë. Ka pasur raste kur edhe një gjarpër është parë nga nxënësit në tualetet e shkollës”, thotë mësimdhënësi Hamdi Maliqi, përcjell Telegrafi.

Në dijeni për përfundimin e kohës kontraktuese për ndërtimin e shkollës në Busavatë janë edhe qeverisja lokale në Kamenicë.

Zëdhënësja Margarita Rashiti, thotë se janë duke u munduar ti shtyjmë procedurat për kontraktimin e një kompanie të re.

“Ne si komunë po bëjmë krejt çfarë është e mundur për të shtyrë përpara këtë proces në bashkëpunim me zyrtarin përgjegjës që është në kuadër të Ministrisë, pasi që që projekti dhe kompani janë të kontraktuar nga Ministria e Arsimit”, tha Margarita Rashiti.

Për zvarritjen e punimeve të shkollës në fshatin Busavatë, RTV Dukagjini ka kontaktuar Ministrinë e Arsimit, për të kuptuar arsyen e mospërfundimit të shkollës nga kompania kontraktuese. Përmes një përgjigje me shkrim nga ky institucion, thuhet që vet këta të fundit kanë kërkuar të ndërprehen punimet për shkak të vonesave që janë bërë nga kompania në fjalë, ndërkaq u bë e ditur se janë ndarë mjete për kontraktimin e një kompanie të re, në mënyrë që të finalizohet shkolla e fshatit Busavatë./Telegrafi/

TAGS