3 Dhjetor 2018 / 14:43
Ministria e Shëndetësisë do të ndajë maska speciale për mbrojtje nga ndotja e ajrit, si masë për parandalimin e sëmundjeve të organeve të frymëmarrjes të cilat shkaktohen nga niveli i lartë i prezencës së grimcave të dëmshme, PM10. Pos maskave, ministria e Shëndetësisë njoftoi hapjen e tre pikave të kujdestarisë të cilat do të pranojnë fëmijët e prekur nga sëmundjet respiratore.
Ajo që e shqyrtojmë si alternativë dhe për çfarë mbledhim të dhëna është të shohim se cili grup i pacientëve kanë nevojë të mbrohen me maska speciale, dhe kur do e kemi këtë numër do të shohim se në cilën mënyrë do t’i furnizojmë ata persona me to. Besoj se për kohë të shkurtër do të përfundojë analiza, e cila del nga të dhënat e sistemit “Termini Im”, nga mjekët amë. Gjatë fundit të kësaj jave apo javës që vjen do të bëhet hapja e punkteve kujdestare në kuadër të Shtëpisë së Shëndetit në Shkup. Në tre punkte do ketë mjekë të përgjithshëm dhe specialistë të mjekësisë familjare ku do të pranojnë fëmijë me simptome të lehta me qëllim që të lehtësohet presioni që ndodh ndaj Klinikës së Pediatrisë – tha Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.
Drejtoresha e Klinikës së Fëmijëve në Shkup thotë se edhe përskaj nivelit të lartë të ndotjes, shumica e rasteve me infeksione respiratore kanë kaluar me terapi, pa pasur nevojë për hospitalizim.
Tani është sezoni i infeksioneve respiratore por megjithatë ende nuk kemi ndonjë numër të madh të pacientëve të hospitalizuar. Nëpër ambulanca ka kontrolle, por numri i të hospitalizuarve ende nuk është rritur në mënyrë drastike. Kryesisht rastet vijnë me infeksione respiratore por edhe infektimet enterale, siç është diarreja, simptom i cili dominon – u shpreh Katerina Stavriq, Drejtore e Klinikës për sëmundje të fëmijëve, Shkup.
Qeveria ka paraqitur Planin për uljen e ndotjes së ajrit përmes zbatimit të një sërë masash, të cilat pritet të gjejnë zbatim brenda dy viteve të ardhshme, ndërkohë që Sektori civil këmbëngul për zgjidhje afatgjate të problemit me ndotjen me ajrit.
Vjollca Aliti
Loading…