Mblidhen rreth 24 mijë franga në mbrëmjen bamirëse “Shpëto Jetë” në Cyrih për nënat dhe fëmijët në Kosovë

Mblidhen rreth 24 mijë franga në mbrëmjen bamirëse “Shpëto Jetë” në Cyrih për nënat dhe fëmijët në Kosovë

Është përmbyllur me shumë sukses ngjarja bamirëse “Shpëto Jetë” e cila u mbajt për të tretën herë me radhë më 10 Maj 2019 në Hotelin Marriott në Cyrih, Zvicër, me të cilin rast performoi sopranoja Learta Jakupi, dhe bendi nga Prishtina ‘String String’ .

Përmes një komunikate, thuhet se mbrëmja bamirëse e organizuar nga Action for Mothers and Children dhe bashkë-organizatorët Dr.med. Agron Abrashi, Prof. Dr. med. Dr. h. c. Omer Dzemali, si dhe Sevdail Tahiri u mbajt me qëllimin e ngritjes së fondeve nga Diaspora për uljen e shkallës së vdekshmërisë të foshnjave në Kosovë.

Përfaqësuesja e Solidar Suisse, Syzane Baja, në një fjalë rasti tregoi për bashkëpunimin e mirë mes organizatave dhe lëvdoi punën e AMC-së duke bërë thirrje që sa më shumë të ndihmohet misioni dhe puna e fondacionit humanitar.

Gjatë mbrëmjes shumë personalitete të shquara dhanë kontributin e tyre dhe dhuruan fonde në koktein tre-orësh. Pjesë e organizimit të ngjarjes ishte edhe një ankand i qetë, të cilit i kontribuuan, kompania angleze e syzeve të punuara nga druri Campbell Marson, punime argjile nga “Dhe by Granita”, fotosesion nga Rromir Imami, fotografi nga Barbara Burri, si dhe u Kosova Wine me prodhimet të verës.

“Ishte një privilegj i jashtëzakonshëm që ishim në mesin e kaq shumë filantropëve të Diasporës sonë në Cyrih. Së bashku festuam sukseset dhe arritjet e viteve të kaluara, ndërsa ngritëm fonde të cilat do të mundësojnë furnizimin me pajisje mjekësore dhe medikamente, zgjerimin e programit të skriningut të Kancerit të Qafës së Mitrës si dhe zgjerimin e Qendrave Informuese për Shëndetin e Gruas, ‘Klasat për Nëna‘ në Kosovë”, u shpreh Janine Mehmeti, Menaxhere në AMC. /Telegrafi/

TAGS