Më në fund identifikohet era e Parkinsonit, zhvillohet testi për detektim të hershëm

Më në fund identifikohet era e Parkinsonit, zhvillohet testi për detektim të hershëm

Senior man smelling lavender in lawn

Në fillim të viteve 1980, infermierja Joy Milne filloi ta dallonte një erë të veçantë myshku në bashkëshortin e saj.

Disa vjet më vonë bashkëshorti i saj u diagnostikua me sëmundjen e Parkinsonit, por Milne nuk i lidhi dy këto ngjarje të ndryshme deri kur më vonë iu bashkua organizatës bamirëse të Parkinsonit dhe filloi të takohej me pacientët e tjerë. Këtu ajo filloi të vërente se çdo person me sëmundjen e Parkinsonit mund të identifikohej nga kjo aromë e pazakontë dhe e dallueshme.

Në vitin 2012, Milne iu afrua një neuroshkencëtari i cili po mbante një fjalim për Parkinsonin, dhe pretendoi se ishte në gjendje ta nuhaste sëmundjen. Shkencëtari vendosi ta testojë pretendimin e saj, shkruan Koha Ditore.

Gjashtë pacientë me Parkinson dhe gjashtë subjekte të shëndetshme veshën bluza të pastra për një ditë të vetme, dhe 12 bluza më pas u paketuan individualisht dhe iu prezantuan Milne. Pas testimeve të detajuara të nuhatjes, Milne përfundimisht ia qëlloi për 11 nga 12 rastet, duke e keqidentifikuar vetëm një bluzë që ishte veshur nga një pacient i Parkinsonit, kur në fakt ai ishte një subjekt i shëndetshëm.

Prej atëherë, një ekip shkencëtarësh po punon për t’i izoluar dhe identifikuar komponentet që Milne i ndërlidhi me Parkinsonin. Tani, pas disa vitesh pune, hulumtuesit pretendojnë se kanë qenë të suksesshëm dhe sugjerojnë se ky zbulim mund të çojë në një test të detektimit të hershëm për sëmundjen shkatërruese.

Sebum është një substancë vajore që sekretohet nga lëkura. Hulumtimet e mëparshme kanë zbuluar se pacientët e Parkinsonit kanë tendencë të prodhojnë tepër sebum ndërsa hipoteza ishte se molekulat specifike në sebum të liruara nga pacientët e Parkinsonit ishin ato që Milne po i nuhaste. Duke përdorur spektrometrinë masive, hulumtuesit i zmadhuan mostrat e sebumit nga pacientët e Parkinsonit, duke zbuluar se një grumbull i biomarkerëve specifikë të paqëndrueshëm molekularë ishin unikë në sebumin e pacientëve të Parkinsonit.

Hulumtuesit më vonë e sollën Milne në laborator për ta konfirmuar erën e këtyre komponentëve dhe ajo vërtet vërtetoi se ata e sinjalizuan “erën” e Parkinsonit. Kjo është ende faza e hershme e hulumtimit, por sugjerohet se duke i monitoruar nivelet e këtyre molekulave specifike në mostrat e sebumit, sëmundja mund të identifikohet në një sërë fazash të ndryshme. Milne madje ka raportuar edhe anekdotikisht se era që ajo e nuhati ngrihej dhe binte në varësi se sa efektivisht po ndikonte trajtimi në bashkëshortin e saj.

Shpresohet se, përveç se do të çojë në një mjet të detektimit të hershëm, testi mund ta gjurmojë përparimin e sëmundjes në një mënyrë të lehtë dhe joinvazive. “Tani e kemi dëshmuar bazën molekulare për aromën unike të lidhur me Parkinsonin, të cilën duam ta zhvillojmë në test”, thotë Perdita Barran, shkencëtare e cila punon në projektin nga Universiteti i Manchesterit. “Kjo mund të ketë ndikim të madh jo vetëm në diagnozën më të hershme dhe përfundimtare, por edhe për t’i ndihmuar pacientët që ta monitorojnë efektin e terapisë.

Shpresojmë ta aplikojmë këtë tek grupet e pacientëve që janë në rrezik për të parë nëse mund t’i diagnostikojmë simptomat para-motorike dhe të ndihmojmë me trajtimin e mundshëm të hershëm”.

Bashkëshorti i Milne vdiq nga sëmundja në vitin 2015, por zbulimi i saj i mahnitshëm mund t’i përmirësojë jetët e miliona njerëzve në mbarë botën. Mjetet efektive klinike që dalin nga ky hulumtim janë ende disa vite larg, por mundësia për ta detektuar dhe monitoruar këtë sëmundje nëpërmjet biomarkerëve të paqëndrueshëm të lëkurës ka potencial për ta revolucionarizuar diagnozën dhe trajtimin. Hulumtimi i ri u publikua në revistën ACS Central Science.

TAGS