Në Ballkanin Perëndimor po diskutohen ide nacionalistë si zgjidhje konfliktesh. Kancelarja Merkel dhe kreu i shtetit i Francës, Macron duan të parandalojnë skenarë të tillë në një samit në Berlin
Nga Keno Verseck, Spiegel
Shkëmbime territoresh, demarkacione etnike, zhvendosje e grupeve etnike- këto ide zjarrvënëse po qarkullojnë nga politikanët kryesorë në Bosnje, Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri si perspektiva serioze politike për rajonin e tyre. Megjithëse propozimet janë një kujtesë fatale për luftërat në ish-Jugosllavi, disa vende anëtare të BE dhe qeveria amerikane kanë sinjalizuar mbështetjen për disa plane, veçanërisht për shkëmbimin territorial ose ndryshimet kufitare mes Serbisë dhe Kosovës.
Por tashmë kancelarja Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron duan t’i vënë vizën këtyre debateve të reja etno-nacionaliste.
Merkel dhe Macron kanë ftuar krerët e shteteve dhe qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në një samit në kancelari të hënën. Ky është një takim thjesht joformal, por kancelarja gjermane dhe presidenti francez duket se duan t’i japin fund debateve të disa muajve të fundit me fjalën e tyre të pushtetshme. Në të njëjtën kohë pritet të ketë lëvizje sidomos në dialogun e bllokuar mes Serbisë dhe Kosovës. Gjithashtu në diskutim do jetë ndihma financiare më e madhe për rajonin.
Frika nga precedenti
Informacionet e para rreth këtij takimi nisën disa javë më parë nga mediat kosovare dhe serbe. Që prej atëherë, politikanët në rajon kanë dalë me deklarata rreth asaj që presin nga samiti. Sidoqoftë, në kancelari dhe mes diplomatëve gjermanë mbizotëron heshtje e madhe për detajet e takimit. “Në përgjithësi, takimi në Berlin duhet të jetë një lloj udhëzimi bindës orientues për disa politikanë diskriminues të Ballkanit Perëndimor,” thotë studiuesi i shkencave politike, Dushan Reljiç nga Fondacioni për Shkenca dhe Politikë. Frika e një precedenti nga ndryshimet e reja kufitare në Ballkanin Perëndimor është shumë e madhe sidomos në Gjermani, thekson Reljiç.
Shkak për nisjen e këtij debati etno-nacionalist në rajon ishte përpjekja për një zgjidhje radikale të konfliktit të Kosovës: Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç dhe homologu i tij kosovar, Hashim Thaçi, mesa duket u pajtuan në negociata të fshehta për shkëmbimin territorial si një zgjidhje- edhe pse ata publikisht e mohojnë këtë deri më sot. Ideja është që të transferohet shumica e pjesës veriore të banuar nga serbët tek Serbia, kurse Kosova do të marrë shumicën e Luginës së Preshevës në jugperëndim të Serbisë, e banuar kryesisht nga shqiptarët.
Me një zgjidhje të tillë të konfliktit, presidenti i Serbisë kërkonte të hapte rrugën për një integrim të shpejtë të vendit të tij në BE. Kurse presidenti kosovar, Thaçi, nga ana tjetër kërkonte ta shpallte veten si një menaxher i suksesshëm i krizës, në mënyrë që të sigurojë mbijetesën e tij politike dhe të shmangë akuzat nga Tribunali Special i Kosovës për krimet e luftës.
Në Serbi dhe Kosovë, ideja e shkëmbimit territorial shkaktoi debate të forta. Vuçiç ka kundër jo vetëm partitë e vogla opozitare, por edhe shumicën e shoqërisë serbe, e cila kundërshton çdo kompromis për çështjen e Kosovës. Në Kosovë, nga ana tjetër, Thaçi është kryesisht vetëm- qeveria, partitë parlamentare, shumica e shqiptarëve të Kosovës dhe madje shumica e serbëve të Kosovës e kundërshtojnë një ndarje të vendit.
Megjithëse pothuajse të gjithë diplomatët me përvojë të Ballkanit Perëndimor folën kundër idesë së shkëmbimit territorial, pas hezitimit fillestar, ideja u mbështet nga shefja e politikës së jashtme të BE, Federica Mogherini, Komisioneri i BE për Zgjerimin, Johannes Hahn, Austria, Hungaria dhe së fundmi edhe qeveria e zotit Trump.
Ky legjitimim në nivel global politik nxiti shumë zjarrvënës në Ballkanin Perëndimor. Kreu i Republikës Serbe të Bosnjes, Milorad Dodik, e mirëpret këtë ide sepse është në përputhje me planin e tij për t’u shkëputur nga Bosnja. Ndërkohë kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, flet hapur për idenë e një Shqipërie të Madhe, e cila mund të përfshijë pjesë të Maqedonisë dhe Kosovës. Rusia ka mbajtur distancë nga debati deri më tani, por presidenti Vladimir Putin do të ishte dakord për një rishikim të kufijve, për shkak se do i shkonte për shtat pas aneksimit të Krimesë.
Por nëse ‘udhëzimi’ i Merkel dhe Macron do ketë ndonjë efekt, kjo mbetet e dyshimtë sipas shumë ekspertëve të Ballkanit. “Për një kohë të gjatë,” thotë Dushan Reljiç, “as fjalët e mira dhe as presioni nga kryeqytetet e BE nuk ka sjellë lëvizje në bllokadën mes Beogradit dhe Prishtinës, por edhe në Bosnje”.