Të nderuar,
Përkujtimi i ditës së AZ paraqet rast me të cilin të gjithë të punësuarit në Agjenci të ndjehen krenar për institucionin në të cilin punojnë. Këtë vit festojmë 25 vjetorin e miratimit të ligjit për AZ si dhe 22 vite nga punësimi i parë dhe formimi i këtij Shërbimi.
E ndërtuam Agjencinë hap pas hapi nga vetë formimi i saj e gjer më sot. E ndërtuam me ndershmëri, entuziazëm dhe përkushtim. Kaluam shume momente të vështira dhe tejkaluam shumë kriza.
Këtë vit kemi një arsye të veçantë të ndjehemi krenar si institucion. AZ dha kontributin e saj në anëtarësimin e shtetit në NATO dhe marrjes së datës për fillim të negociatave me BE-në. Këto paraqesin themelet e ndërtimit të një ardhmërie më të ndritur për ne.
Vitin e kaluar punuam shumë për një ligj të ri për AZ i cili për fat të keq nuk u miratua për shkak të pengesave politike. Por ne nuk dekurajohemi nga ky akt, përkundrazi do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim më të madh për të mirën e të gjithë të punësuarve në këtë institucion.
Situata aktuale në të cilën gjindet bota nga pandemia e virusit COVID -19 është tejet shqetësuese, prandaj duhet të tregohemi më të pjekur dhe më të matur me qëllim që ta tejkalojmë këtë gjendje të vështirë. Masat dhe rekomandimet që zbatohen në AZ janë për të mirën e të gjithë të punësuarve, për mbrojtjen tonë personale dhe mbrojtjen e të afërmeve tanë.
Të nderuar kolegë dhe kolege,
Është nder dhe privilegj të punosh në një shërbim me rëndësi thelbësore për sigurinë kombëtare. AZ ka potencial të madh të resurseve njerëzore të cilët mund të kontribuojnë në modernizimin dhe ndërtimin e një shërbimi efikas dhe profesional i liruar nga çdo ndikim. Ju ftoj që së bashku të japim maksimumin në realizimin e vizionit tonë. Vetëm në atë mënyrë do të jemi të sigurtë se gjeneratave që vijnë pas nesh u lëmë një trashëgimi të qëndrueshme.
Urime na qoftë përvjetori i Agjencisë sonë!
29.03.2020
Me respekt,
Erolld Musliu