Mesazhi i Solskjaer për Realin dhe Barçën: “Dua ta ndërtoj Unitedin tim rreth Pogbas dhe Rashfordit”

Mesazhi i Solskjaer për Realin dhe Barçën: “Dua ta ndërtoj Unitedin tim rreth Pogbas dhe Rashfordit”

Ole Gunnar Solskjaer i ka kërkuar drejtuesve të Manchester United që të refuzojnë çdo ofertë të mundshme për Paul Pogban dhe Marcus Rashfordin.

Mesfushori francez, Paul Pogba, është lidhur vazhdimisht me një kalim të mundshëm te Real Madridi i Zinedine Zidane, po ashtu është kërkuar edhe nga Barcelona.

Edhe sulmuesi anglez, Marcus Rashford, raportohet se ka ngjallur interesimin e dy gjigantëve nga La Liga, por Solskjaer, që ditë më parë nënshkroi kontratë me “Djajtë e Kuq” deri më 2022, dëshiron të ndërtojë skuadrën rreth lojtarëve në fjalë.

Solskjaer beson se Pogba dhe Rashford kanë gjithçka për ta udhëhequr Unitedin drejt sukseseve.

Ata kanë qenë në formë shumë të mirë, që kur u largua Jose Mourinho, secili ka shënuar nga 6 gola në Premierligë, nën drejtimin e trajnerit norvegjez.

“Ata janë jetikë për të ardhmen tonë. Ju më keni pyetur për lojtarët, rreth të cilëve dua ta ndërtoj Manchester United tim. Ata të dy janë të tillë”, u shpreh Solskjaer.

Kur u pyet, nëse dy lojtarët në fjalë mund t’i arrijnë qëllimet e tyre të karrierës në “Old Trafford”, trajneri u përgjigj: “Unë besoj se po. Ky është qëllimi ynë si klub, që të arrijmë atë që kemi bërë në të kaluarën. Kjo është pritshmëria këtu. Sigurisht, ne shpresojmë të ndërtojmë një skuadër mjaft të fortë, e denjë për historinë e klubit”. /Gazeta Express/

TAGS