Mësimdhënësit në grevë nga 14 janari

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës ka marrë vendim që nga 14 janari të hyjë me grevë të përgjithshme në arsim.

Greva do të jetë me afat të pacaktuar, ndërkaq ata po kërkojë rishikimin e ligjit të pagave, me të cilin po kërkojnë ngritjen e pagave për mësimdhënësit me 30 për qind.

Vendimi për grevë është marrë në mbledhjen e jashtëzakonshme të këshillit drejtues të SBASHK-ut, e cila posa ka përfunduar.

Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, ka thënë se nga 14 janari greva fillon çdo ditë nga ora 9 deri në orën 12 për të gjithë grevistët e të gjitha ndërrimeve.

“Pas përfundimit të orarit të grevës të punësuarit lëshojnë objektin në të cilin është zhvilluar greva për të vepruar kështu çdo ditë të grevës. Gjatë periudhës sa zgjat greva e përgjithshme ndërpriten të gjitha aktivitetet që lidhen me punën në institucionet arsimore. Këshillat grevistë gjatë kohës se grevës qëndrojnë në objektet ku mbahet greva dhe janë përgjegjësit kryesor për mbarëvajtjen e grevës”, ka theksuar Jasharaj.

“Gjatë grevës, grevistët qëndrojnë në vendin e caktuar nga Këshilli grevist i atij institucioni. Këshillat grevistë të çerdheve, shkollave dhe njësive akademike raportojnë te Këshilli grevist komunal, gjegjësisht ai i Universiteteve, kurse ata pastaj raportojnë te Këshilli Qendror Grevist për ecurinë e grevës” ka deklaruar Jashari. /Telegrafi

TAGS