Meta mesazh nga Zall Dardha e Dibrës: Zot t`i dalim këtij vatani…

Presidenti Ilir Meta ka vizituar Zall Dardhën në Dibër, teksa ka dhënë dhe një mesazh me anë të një postimi në rrjetet sociale.



Kreu i shtetit shkruan se të rritur me Korabin përballë, bijtë e Zall Dardhës kanë marrë prej malit madhështor cilësitë e qëndresës dhe kryelartësinë në karakterin dhe shpirtin e tyre.

Mesazhi i plotë:

I lumtur të vizitoj Zall Dardhën, fshatin me histori të madhe të luftërave për liri, për t’u përulur me respekt para kujtimit të burrave të shquar të kësaj treve, për të cilët mjeshtri Qerim Sula do të këndonte:

“Me gjoks flakën ja shuajmë topit,

Jemi gjaku Kastriotit!”

Të rritur me Korabin përballë, bijtë e shquar të Zall Dardhës kanë marrë prej malit madhështor cilësitë e qëndresës dhe kryelartësinë në karakterin dhe shpirtin e tyre.

Ashtu si e gjithë Dibra, edhe kjo trevë ka qenë përherë djepi i luftërave patriotike për liri dhe identitet kulturor. Jo pa kuptim ata Kuvendin e tyre të burrave e quajtën “Dheu”, për të treguar, se si Anteu ata e marrin bekimin dhe fuqinë e tyre prej tokës që i lindi dhe rriti.

Tradita e Kuvendeve në Reç e Dardhë, është ndër shembujt më të shquar të përgjegjësisë atdhetare, të organizimit dhe qeverisjes vendore.

“Besa – besë, nihet zani,

Zot t`i dalim këtij vatani…”