Meta rikujton vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë: Kosova një realitet i pakthyeshëm

Meta rikujton vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë: Kosova një realitet i pakthyeshëm

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka shkruar një post në rrjetin social në lidhje me një ngjarje të 9 viteve më parë, atëherë kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të njihte ligjërisht Kosovën si shtet të pavarur, duke hedhur poshtë pretendimet e Serbisë.

Meta shkruan se në atë kohë e ka përjetuar me gëzim të madh vendimin, pasi ka qenë Ministër i Jashtëm i Shqipërisë.

Postimi i plotë:

Nëntë vite më parë, pretendimit serb mbi paligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i dha fundin e merituar, duke njohur aktin e shpalljes së pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare.

Ky vendim historik ishte njëkohësisht njohje dhe vlerësim ndaj sakrificave sublime të të gjithë atyre që nuk iu nënshtruan spastrimit etnik dhe nuk bënë asnjë kompromis me të drejtën e patjetërsueshme të qytetarëve të Kosovës, për të jetuar të lirë dhe në paqe si të gjithë evropianet e tjerë.

Ishte kënaqësi për mua ta përjetoja këtë moment historik si Ministër i Jashtëm, asokohe i një qeverie që bëri më të mirën për të forcuar pozitën ndërkombëtare të Kosovës.

Kosova si shtet i lirë dhe i pavarur është realitet i pakthyeshëm që ka kontribuar për më shumë paqe, siguri dhe stabilitet në rajonin tonë.