Migena Kika: Pse është e nevojshme zvarritja te fëmijët, roli në zhvillimin konjitiv

Migena Kika: Pse është e nevojshme zvarritja te fëmijët, roli në zhvillimin konjitiv

Voltiza Duro – Disa bebe mund të mos e kalojnë fare stadin e zvarritjes dhe disa të tjera mund të zvarriten për një kohë të shkurtër ndërkohë që fëmijë të tjerë zvarriten gjatë gjithë kohës duke u përpjekur të kapin objekte në dysheme. Por cilat janë benefitet e zvarritjes te fëmijët? Mjekja neuropediatre, Migena Kika, në një intervistë për suplementin Life Pages në ‘Gazeta Shqiptare’ thotë se zvarritja ka shumë përfitime dhe duhet stimuluar gjithmonë nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme edhe kur fëmija është më i madh. Mjekja bën me dije se Refleksi Bauer e ndihmon beben gjatë aktit të lindjes të kalojë nëpër kanalin e lindjes dhe më vonë gjatë jetës të arrijë gurët kilometrikë të zhvillimit motor të të ecurit e është pikërisht ky refleks që ndihmon në koordinimin e lëvizjeve të të gjithë trupit.





Cila është lidhja mes zvarritjes te fëmijët me konjicionin (zhvillimin mendor) dhe zhvillimin gjuhësor?
Ndërkohë që pyes prindërit për zhvillimin motor të fëmijës së tyre dhe se kur kanë ecur, një nga pyetjet që bëj më shpesh është: A është zvarritur fëmija juaj përpara se të ngrihet në këmbë? Këtë pyetje e bëj dhe kur vlerësoj një fëmijë me probleme të zhvillimit konjitiv apo gjuhësor. Në një pjesë të rasteve përgjigja është Jo; ai është ngritur direkt në këmbë pa u zvarritur. Çdo fëmijë duhet të zvarritet përpara se të mësojë të ecë në mënyrë të pavarur. Akti I zvarritjes ndihmon për të zhvilluar dy hemisferat e trurit dhe zhvillon aftësitë për të magazinuar dhe mbajtur mend informacion. Zvarritja promovon maturimin e corpus callosum dhe përforcon lidhjen midis cerebellumit dhe lobeve frontale. Aftësia për të orkestruar në mënyrë perfekte të dyja duart, këmbët, sytë dhe veshët varet në një masë të madhe nga refleksi i zvarritjes.

Çfarë është refleksi i zvarritjes të fëmijët dhe kur shfaqet ai?
Refleksi i zvarritjes i Bauer-it shfaqet rreth javës së 28 in utero. Ky reflex zhduket kur bebja është rreth 6 javëshe, por rishfaqet kur fëmija po mëson të zvarritet. Ky refleks mund të evokohet kur ju ushtroni presion mbi shputat e të porsalindurit ndërsa i porsalinduri është shtrirë me fytyrë poshtë. Ndërsa ju ushtroni këtë presion në shputat e tij i porsalinduri fillon të bëjë lëvizje sikur zvarritet.

Cili është roli i këtij refleksi te fëmijët?
Refleksi Bauer e ndihmon beben gjatë aktit të lindjes të kalojë nëpër kanalin e lindjes dhe më vonë gjatë jetës të arrijë gurët kilometrikë të zhvillimit motor të të ecurit. Është pikërisht ky refleks që ndihmon në koordinimin e lëvizjeve të të gjithë trupit. Ai siguron një koordinim të mirë të hemisferave djathtas dhe majtas nëpërmjet aktivizimit të corpus callosum.

Çfarë ndikimi ka nëse ky refleks persiston dhe nuk eliminohet në kohë?
Ka raste kur refleksi Bauer mund të mos eliminohet kur ai nuk duhet më, pra nuk është më i nevojshëm. Meqenëse refleksi Bauer ka lidhje direkte me zvarritjen, nëse persiston apo fëmija nuk e kalon stadin e zvarritjes; ai pengon integrimin e gurëve të tjerë kilometrikë të zhvillimit si dhe zhvillimin e lidhjeve të rëndësishme neurologjike që kanë të bëjnë me koordinimin motor por jo vetëm.

Mund të përmendni disa nga simptomat e persistencës së refleksit?
Shenja të persistencës së refleksit Bauer janë: probleme me koordinimin; vonesa në zhvillimin motor; vonesa në arritjen e gurëve kilometrike të konjicionit; probleme me zhvillimin emocional; frustrim, probleme të çrregullimit sensorial apo hiperaktivitet.

Çfarë të mirash kemi nëse fëmija e kalon ashtu siç duhet dhe sa duhet stadin e zvarritjes?
Sigurisht që rritet tonusi dhe kontrolli motor por bashkë me të, të zvarriturit stimulon dhe pjesë të trurit që e bëjnë fëmijën të jetë i aftë nga ana akademike kur të fillojë kopshtin apo shkollën.

Lëvizja e përsëritur e këmbëve dhe e duarve ndihmon neurone të organizohen duke e lejuar trurin të fillojë të kontrollojë proceset konjitive që do ta ndihmojë më vonë me të kuptuarin kur të rritet.
Kur bebja fillon të zvarritet duart bëhen udhërrëfyes dhe bebi vendos vizualisht se ku të shkojë. Këto lëvizje të para janë për beben testi i parë i koordinimit sy dorë; aftësi që fëmijës do ti duhet si për aktivitete të jetës së përditshme ashtu dhe përgjatë jetës së tij akademike. Një pjesë e rëndësishme e zhvillimit është dhe vizioni binokular apo dypamor që duhet të zhvillojë çdo individ. Kjo aftësi zhvillohet herët tek bebi. Është aftësia për të parë e fokusuar larg e pastaj përsëri tek duart që po zvarriten në dysheme. Kur fëmija rritet kjo aftësi përdoret shpesh gjatë ditës sidomos në klasë për shembull kur fëmijës i duhet të fokusohet në tabelën e klasës e pastaj përsëri tek libri/fletorja dhe tek duart.
Por mbi të gjitha të gjitha lëvizjet që kryen gjatë zvarritjes bëjnë që të vendoset dhe forcohet urat e komunikimit midis hemisferës së majtë dhe asaj të djathtë në tru. Komunikimi ndërsa fëmija rritet sa vjen e përmirësohet në qartësi dhe shpejtësi duke formuar bazat për të menduarit ekzekutiv dhe atë kritik. Të zvarriturit gjithashtu mund të përmirësojë aftësitë vizuale dhe hapësinore për dekodimin, të shkruarit dhe zgjidhjen e problemeve.

Përse të zvarriturit është i rëndësishëm?
Procesi i zvarritjes ka shumë benefite dhe luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e fëmijës. Duhet thënë, në fakt, që ka shumë fëmijë që dhe pse nuk zvarriten përsëri nuk kanë problem me zhvillimin konjtitiv, atë akademik etj. Sidoqoftë zvarritja ka shumë përfitime dhe duhet stimuluar gjithmonë nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme edhe kur fëmija është më i madh. Në këto raste mund të përfshihet zvarritja si pjesë e lojës dhe kjo mund të bëhet në sipërfaqe me përbërje të ndryshme, ngjitja në lartësi në kënde lojërash etj.

TAGS