Miku dje dhe sot

Miku dje dhe sot

Me një shtator 2008 pata shkruar një ese për ardhjen e muajit të bekuar të Ramazanit (Miku Jonë). Në atë kohë si një problem e kam trajtuar ngurtësin që nuk është pjesë e e jetës së një besimtari e mos të thuhet gjatë muajit të bekuar të ramazanit që është muaj i mëshirës dhe solidariteti, bashkimit dhe mirëkuptimit.  Shkrimin do ua sjell te plotë:

Ngurtësi! Ç’është ajo?! Jeton me mua apo me ty?  Jo, jo, ajo nuk është pjes e jetës sonë… mandej të gjithë e dimë këte… Ngurtësia nuk është me ne, në shpirtin tonë ekziston diçka tjetër… fleksibiliteti dhe toleranca. Barka jonë është e mëshirës, që udhëtimin na lehtëson dhe na ndihmon të shiqojmë drejt horizonteve të reja… Sakrifica në emër të Gjthmëshirshmit e mbush këtë barkë me devotshmërinë e përsosmërisë vetajake… dhe që perfundon me një shpërbilim të pritshëm. E, pra shiqoni ata që rrokullisen në errësirën e  injorancës dhe mundohen të bëjnë keq duke hyrë edhe në birën e gjilpërës… ata janë të ngurtit. Por, neve nuk duhet të na shtyje urrejtja dhe ti shmangemi drejtësisë… të mbjellim drejtësinë se kjo është afër devotshmërisë. Sipas historisë, është një gjë e provuar se njerëzit e nderuar si profetë, janë reformatorë në fushën fetare, shoqërore, politike e morale. Pothuajse secili nga ata solli nga një mrekulli në historinë e njerëzimit… Edhe profeti Muhammed na foli për mikun tonë, udhëtarin në barkën e shpëtimit. Miku jonë është një institucion në vete që planifikon të rrisë një dru me fruta të vlefshme… Ai na mëson për durimin dhe zemërgjerësinë, ngase djejmë dhembjet e mërzisë dhe të shqetësimit, por që i përballojmë me përpjekje të madhe. Miku jonë erdhi me urdhër të Zotit për kontroll, për ruajtjen e dinjitetit dhe liris sonë, që inicon frymën e vërtetë të përkatësisë sociale, të unitetit dhe barazisë para Zotit. Zhurma e madhe në barkën e udhëtimit është inekzistente, miku jonë na dhuronë disiplinë dhe mbijetesë të shëndetshme, ai po na aftëson ta mbizotërojmë artin e adaptimit të pjekur. Adaptim me një fuqi të vetëkrijuar për ti kapërcyer pengesat gjatë udhëtimit… duke na mësuar parimin e dashurisë së sinqerrtë dhe duke na furnizuar me shpresë dhe për të kuptuar sa më mirë jetën… për të qenë optimist. Urtësinë që na e sjellë, na disiplinon për ti mbajtur nën kontroll epshin tonë… duke pajisur me një shpirt të përballueshëm, me një mendje të pastër, duke krijuar një personalitet me karakter të fortë… me një percaktueshmëri dhe përpikëri. Andaj, për gjithë ate që na mëson miku jonë ne i jemi falënderues Zotit që e urdhëroi dhe ne  ate e vëmë në praktikë.. edhe kur dikush nga anash na ngacmon, na nënçmon ne përmendim emrin e mikut tonë… agjërim, agjërim, agjërim!

 Me 24 prill 2020, nisjen e muajit të agjërimit do e presim më ndryshe. Tani nuk flasim për ngurtësi, por për pandemi. Shpirtërat pak të trazuar, nga bota që veten e ka futë në izolim, nga ajo që ndodhë rreth nesh dhe me ne. Sidoqoftë, miku jonë vjen si gjithmonë me natyrën e mëshirës dhe solidaritetit që ka në vete, me të kuptuarit e halleve të të tjerëve dhe me bekim. Besimtarët nuk duhet të jenë të kompleksuar por duhet të jenë të vetëdishëm për atmosferën, me rrethanat e krijuara përshkak të coronavirusit. Edhe në këta momente duhet ruajtur qetësinë shpirtërore dhe me adhurimet dhe lutjet individuale të freskojm shpirtin tonë.

“Nëse dëgjoni për ndonjë epidemi të murtajës në një vend, mos shkoni atje, nëse ka epidemi në vendin ku ndodheni, mos u largoni”, “Pastërtia vjen nga imani”, “Pastroni duart pasi të zgjoheni”, “Ata që kanë sëmundje ngjitëse të qëndrojnë larg të shëndoshëve”, janë disa prej haditheve paralajmëruese të Profetit Muhamed (a.s.) në lidhje me higjienën dhe karantinën të thëna para 14 shekujsh. Mos të na ngushtohet shpirti, këta thënie janë aktuale dhe do i përgjigjen çdo kohe, andaj bëni përditshmëri. Rreziku do të kaloje, siç kaluan edhe rreziqet tjera nga pandemi të ndryshme. Nuhatja e aromës së Ramazanit është forca më e madhe për tejkalimin e kësaj situate. Të respektojmë këshillat fetare dhe urdhëresat  institucionale për të mirën e të gjithëve, ngushtësin që do e ndiejmë përshkak të mos vizitave me të afërmit tonë ta bëjmë forcë dashurie për njerëzimin, pikërisht edhe ky është mesazhi i këtij muaji të bekuar: parimi i dashurisë për të gjithë është rrugë e shpresës për ditë të mira.

Zot, Ti je i Madh, I Gjithëmëshirshëm, na fal neve, ne me të vërtetë i bëjmë padrejtësi vetës tonë!

Urime muaji i bekuar i agjërimit, agjërim të lehtë dhe të pranuar!

 

I varfëri tek Zoti: Agim Jakupi