Ministri Ademi në hapjen e manifestimit “Java e filmit bashkëkohor danez” në Kinotekën e Maqedonisë

Ministri Ademi në hapjen e manifestimit “Java e filmit bashkëkohor danez” në Kinotekën e Maqedonisë

Ministri i Kulturës, Asaf Ademi, mbrëmë në Kinotekën e Maqedonisë së bashku me Këshilltaren e vjetër në Ambasadën e Mbretërisë Daneze në Beograd – kompetente edhe për Republikën e Maqedonisë, Mariane Gade Topaç dhe Konsullin e Nderit të Mbretërisë Daneze në vendin tonë, Zhivko Muaketov mori pjesë dhe mbajti fjalë rasti në solemnitetin e organizuar me rastin e manifestimit “Java e filmit bashkëkohor danez”, në kuadër të të cilit do të prezantohet përzgjedhja e kinematografisë daneze.

Ademi, i cili një pjesë të angazhimit profesional e ka kaluar si ambasador i Republikës së Maqedonisë në Mbretërinë Daneze, në fjalën e tij theksoi se marrëdhëniet e Republikës së Maqedonisë më shtetet evropiane, duke përfshirë edhe Mbretërinë Daneze zhvillohen në frymën e miqësisë dhe mirëkuptimit të ndërsjellë. Prandaj është e rëndësishme të njihet një pjesë e kulturës daneze, e cila është unikate, dhe të shihet kontributi i krijimtarisë filmike daneze që ia ka dhuruar kinematografisë botërore,

“Në ditët në vijim do të kemi ditë emocionuese filmike me përzgjedhjen e gjashtë filmave me metrazh të gjatë të cilët, besoj se, do t’i kënaqin shijet e artdashësve të filmit këtu në Maqedoni. Njëkohësisht, ky manifestim do t’i mundësojë publikut t’i pasurojë njohuritë e veta për një shoqëri jo shumë e njohur për ne, të njihet nga afër me kulturën dhe traditën daneze, me mënyrën daneze të jetuarit dhe të nxjerrë përvoja pozitive të cilat mund t’i zbatojnë këtu, në Republikën e Maqedonisë” theksoi ministri i Kulturës.

Ademi ka shprehur bindjen e tij se ky manifestim është vetëm fillimi dhe se do të zgjojë interesim të madh te publiku i Maqedonisë. Ai ka paralajmëruar se në të ardhmen do të realizohen edhe një sërë projektesh që do të kontribuojnë në përafrimin e kulturave të të dyja vendeve.