Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov nesër, me ftesë të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, do të marrë pjesë në takimin e Këshillit Atlantik të Veriut (NAC) në formatin e shefave të diplomacive, që do të jetë pjesëmarrja e parë e Republikës së Maqedonisë së Veriut në një seancë të Aleancës, si vend-anëtar i plotfuqishëm i Traktatit të Atlantikut të Veriut.
Siç komunikoi Ministria e Punëve të Jashtme, për shkak të masave kufizuese të vendosura pas pandemisë së koronavirusit, takimi do të mbahet përmes sistemit elektronik të video-konferencave.
“Pas anëtarësimit zyrtar të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO më 27 mars të vitit 2020 dhe pas ceremonisë së ngritjes së flamurit maqedonas në seli dhe komandat ushtarake të NATO-s, takimi i ardhshëm është ngjarja e parë punuese e ministrit Dimitrov, ku do të marrë pjesë aktive në diskutimin për çështje prioritare dhe aktivitetet e Aleancës”, thuhet në komunikatë.
Tema kryesore e agjendës së takimit të nesërm do të jetë diskutim mbi pandeminë e virusit Kovid-19, në kuadër të së cilës pritet që ministrat e jashtëm t’i shqyrtojnë mundësitë për ndërmarrje të masave dhe aktiviteteve të përbashkëta konkrete për përballjen me këtë sfidë globale.
“Nga temat e tjera që do të përfshihen janë çështjet që lidhen me situatën dhe angazhimet e Aleancës në Afganistan, rajonin më të gjerë të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut, ndërsa do të shqyrtohen edhe mundësi për të dhënë një kontribut konkret në përmirësimin e situatës në Siri. Parashikohet që ministrat e jashtëm gjithashtu të miratojnë edhe disa dokumente të harmonizuara lidhur me temat që janë lëndë diskutimi në suaza të NATO-s”, shtohet në komunikatë.