Dje në Shkup në organizimin e Lidhjes së Organizatave Joqeveritare Turke të Maqedonisë (MATUSITEB) u mbajt Evalvimi i Shkollës Rinore Ballkanike dhe Programi Përmbyllës, ku mori pjesë dhe mbajti fjalim ministri i Kulturës, Hysni Ismaili.
Ministri Ismaili para pjesëmarrësve të shkollës rinore theksoi se realizimi i një ngjarjeje të tillë në Republikën e Maqedonisë së Veriut është me rëndësi të madhe për t’i zhvilluar marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Turqisë dhe vendit tonë, por edhe me vendet e tjera të Ballkanit. Ai shtoi se zbatimi i projektit do të mundësojë që kombet e ndryshme të cilat jetojnë në hapësirat ballkanike më mirë të kuptohen dhe të njihen.
„Besoj se projekti Shkolla Rinore Ballkanike do ta përforcojë kulturën e bashkëjetesës së kombeve të ndryshme në këtë rajon dhe do ta ruaj paqen dhe stabilitetin“, tha Ismaili.
Ngjarja që me mbështetjen e Presidencës së Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB) u zbatua në tetë vende të Ballkanit, morën pjesë edhe Kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë, Mustafa Shentop, kryetari i Presidencës së Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike, Abdulla Eren, bashkëpunëtori i lartë në Kuvendin e Madh Popullor të Turqisë, dr. Nexhip Fazil Kurt, deputetët e Parlamentit të Turqisë, ambasadorja e Republikës së Turqisë në vendin tonë, Tulin Erkal Kara, si dhe përfaqësuesit e institucioneve dhe organizatave të shumta turke dhe një numër i madh mysafirësh.