Ministri Tahiri: Nuk do të lejojmë askënd dhe asgjë që të cenojë sigurinë në vend

Ministri Tahiri: Nuk do të lejojmë askënd dhe asgjë që të cenojë sigurinë në vend

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka thënë se aksioni i sotëm i ndërmarrë nga Policia e Kosovës dëshmon edhe njëherë përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të luftuar pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe për të shtrirë kushtetutshmërinë dhe sundimin e ligjit në gjithë territorin e Republikës.

Në një reagim për media, Tahiri ka theksuar se krimi dhe korrupsioni nuk do ta mbajnë peng të ardhmen e qytetarëve të Republikës së Kosovës, transmeton Telegrafi.

Reagimi i plotë:

“Fillimi i kësaj jave nisi me një aksion të Policisë së Kosovës për t’i vënë në pranga një grup njerëzish nën akuzën për korrupsion dhe krim të organizuar.

Aksionet e nisura dje në Prizren, kanë vazhduar edhe sot në veriun e vendit.

Ky hetim dhe këto aksione dëshmojnë edhe njëherë përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të luftuar pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe për të shtrirë kushtetutshmërinë dhe sundimin e ligjit në gjithë territorin e Republikës.

Krimi dhe korrupsioni nuk do ta mbajnë peng të ardhmen e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Askush nuk mund t’i japë drejtim të paqenë dhe as të shtrembërojë realitetin e veprimeve të bazuara në rend dhe ligj.

Si vend sovran, në të gjithë territorin e së cilit funksionon një rend unik juridik i bazuar në Kushtetutën e vendit, qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim, duhet të ndjehen të sigurt se institucionet tona nuk do të lënë hapësirë për askënd dhe asgjë që t’ua rëndojë jetën dhe cenojë sigurinë përmes korrupsionit dhe krimit të organizuar”./Telegrafi/

TAGS